Gara për Tiranën: Braçe: Kandidati i PS të zgjidhet me votë, jo nga drejtuesit

Deputeti socialist Erion Braçe kërkon që kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës të zgjidhet përmes një gare reale dhe një votimi masiv brenda partisë.
Në një intervistë në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Braçe theksoi se ka kërkuar që të gjithë ata që synojnë të drejtojnë kryeqytetin të kenë mundësinë të përballen në një garë, ku vendimin përfundimtar ta marrin votuesit.
Braçe sqaroi gjithashtu se nuk ka komunikuar me kryeministrin Edi Rama për këtë çështje, duke theksuar se përzgjedhja e kandidatit nuk është një çështje personale, por i takon strukturave drejtuese të Partisë Socialiste.
Pjesë nga intervista:
Braçe: Kam kërkuar garë, nuk jam vetë-propozuar. Kam kërkuar që socialistët të thirren në votim masiv, për të përzgjedhur me votë kandidatin që duan ti përfaqësojë me votë. Ndryshe nga njoftimet. Hyjmë në rrethin e vendimarrjes, problemin e vendimarrjes.
Rakipi: Pra, po kërkon primare?
Braçe: Unë them të bëhet garë reale, nuk vjen e keqja nga gara reale, përzgjedhja përmes votës së njerëzve që duan ti përfaqësojnë. Kam kërkuar që pjesë e garës të bëhen edhe simpatizantët e PS, por edhe gjithëkush që është shoqëri civile dhe beson se duke ndikuar me votë për një kandidat mund të ndryshojë mënyrën se si qeveriset ky qytet. Nuk kam kërkuar të dalë Rama të thotë është Braçe kandidat, edhe sikur të ndodhë kjo nuk e pranoj.
Rakipi: Ke komunikuar me Ramën për këtë?
Braçe: Jo, nuk është muhabet personal. Gara është një çështje e forumeve të PS-së.
/vizionplus.tv




