Në vijim të procesit të zgjedhjeve për kryetarët e rinj në çdo njësi, kryetari i PS për Tiranën, Erion Veliaj, u ndal në Njësinë 8, për të ndjekur prezantimin e platformave të kandidatëve në garë, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri dhe deputetet Mimi Kodheli dhe Blerina Gjylameti.

 

Në fjalën e tij, Veliaj tha se Partia Socialiste beson te solidariteti dhe qëllimi i saj është të trajtojë çdokënd me dinjitet dhe respekt.

 

“Nëse forcat që kemi përballë vetëm copëtohen. Metafora e tyre është pjesëtimi, kurse metafora jonë është shumëzimi, rritja. Kjo është arsyeja pse vendimi i kryesisë për të pasur në të gjitha njësitë vendore, një kryetar dhe një bashkëkryetar, për të thënë se ne na duhen 27 kryetarë në Tiranë, 27 bashkëkryetarë, 27 drejtues të Forumit të Gruas, 27 drejtues të Forumit të Rinisë, 27 sekretarë për emigracionin, 27 sekretarë digjitalë, 27 sekretarë që merren me organizimin, 27 sekretarë zgjedhorë. Vetëm duke u shumëzuar, familja jonë jo vetëm bëhet më e madhe dhe më e fortë, por edhe më fituese dhe më gjithëpërfshirëse. Pala tjetër gëzohet se thonë e përzumë Lulin dhe të tijtë. Por, kur ishte Luli thoshin e përzumë Saliun me të tijtë. Kurse, familja jonë gëzohet kur ne shtohemi”, u shpreh Veliaj.

 

Ai theksoi se kur njerëzit votojnë për Partinë Socialiste, votojnë për ata që do drejtojnë qytetin, çerdhet, kopshtet, shkollat, parqet apo hapësirat publike.

 

“Ne nuk jemi nga ata që xhirojnë gomat. Ne jemi krejt tjetër, i marrim gjërat me durim, i bëjmë gjërat me plan, me disiplinë, me rregull dhe respekt. Njerëzit kanë kuriozitet kush do ta drejtojë Partinë Socialiste në Njësinë 8 sepse e dinë që është partia që do drejtojë vendin. Njerëzit nuk kanë kuriozitet kush do e djegë selinë e partisë tjetër apo kush do hedhë gaz lotsjellës, kush do vijë me vare, e kush do vijë me qysqi a shkopa bejsbolli. Një njeri që djeg shtëpinë e tij, nuk mund t’i rregullojë shtëpitë e njerëzve. Kur votohet për drejtuesit e Partisë Socialiste ka interes nga i gjithë vendi sepse është forca që drejton. Kurse ajo partia tjetër është komplet qesharake. Bëjnë garë burri me gruan, kush e hap qepenin e dyqanit, në varësi të posteve që kanë”, vijoi më tej ai.

 

“Në Njësinë 8, kemi dy kontraste që duhet t’i bashkojmë: Zona e Frigoriferit dhe 5 Maji, deri te Pazari i Ri. Në lagjen “5 Maji” po krijohet një Tiranë krejt tjetër, që po i jep shpresë familjeve që ua prishi shtëpitë tërmeti; është një Tiranë solidare, që drejtohet nga Partia Socialiste me vizionin për t’i dhënë një mundësi të gjithëve – zaptues ose jo, që kanë ndërtuar në tokë të shtetit, buzë Lumit – në mënyrë që të lënë pallatet e Enverit apo shtëpitë ku jetojnë në kushte spartane te Bregu i Lumit, dhe të marrin një apartament dinjitoz, të ndërtuara nga Stefano Boeri. Sot me transformimin e jashtëzakonshëm te Bregu i Lumit mund të tregojmë se çfarë mund të bëjë Partia Socialiste”, përfundoi kreu i Bashkisë.

 

Veliaj tha se PS duhet të tregojë se në mandatin e 3-të do të punojë më fort se në të parin. Socialistët, tha ai, ndihen krenarë për gjithçka kanë transformuar në Tiranë dhe në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *