Gara për Bashkitë, Fevziu zbulon skenarin e Ramës për Tiranën

Gazetari Blendi Fevziu ka komentuar skenarët politikë për zgjedhjet e ardhshme vendore, duke u ndalur te gara për Bashkinë e Tiranës dhe ndikimi që mund të kenë protestat e zgjatura në sjelljen elektorale të qytetarëve.
I ftuar në studion e “Të paekspozuarit” në Vizion Plus, Fevziu u shpreh se përçarja e opozitës mund të jetë një nga mënyrat përmes së cilave kryeministri Edi Rama synon të sigurojë fitoren në kryeqytet.
Sipas gazetarit, shifrat aktuale nuk janë premtuese për mazhorancën, ndërsa një pjesë e qytetarëve që kanë protestuar prej më shumë se 130 ditësh mund të kërkojnë një alternativë politike.
“Më e sigurta e Ramës për të marrë Tiranën është të përçajë opozitën. S’ka zgjidhje tjetër sepse edhe shifrat nuk janë premtuese për të. E dyta, ne kemi një bllok që është e majta, një bllok po thosha e djathta që unë po i quaj aty-aty. Midis tyre janë gjithë këta njerëzit që protestojnë, të cilët ndoshta edhe s’kanë votuar kurrë në jetën e tyre, por që këto 130 e ca ditë protestë i kanë ndërgjegjësuar që pa një zgjidhje politike, pra pa një angazhim politik, nuk mund të kesh zgjidhje. Për kë do të votojnë këta? Këta po protestojnë për dorëheqjen e Ramës, apo jo? Po, ndërkohë protestojnë edhe për largimin e Berishës. Për kë do të votojnë këta? Ata do të venë të votojnë sepse kanë 130 e ca ditë që protestojnë dhe e kanë kuptuar që politika ndryshohet me mjete politike”, tha Blendi Fevziu në Vizion Plus.
/vizionplus.tv




