Për të përmirësuar raportimin financiar të shoqërive tregtare në përputhje me standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare, Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe SECO po vijon projektin “Forcimi i Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit në Shqipëri”.
Ky projekt do të sjellë aktivitete të reja, që synojnë të përmbushin objektivat e reformës duke përmirësuar kornizën ligjore, profesionin e kontabilistit dhe audituesit ligjor si dhe klimën e biznesit në Shqipëri.
“Eksperienca e krijuar gjatë këtyre viteve na forcon fokuson tonë për të ardhmen në realizimin e kontrollit dhe sigurimin e cilësisë, me qëllim reduktimin e gjetjeve të sigurisë së cilësisë, sidomos në auditmin e njësive ekonomike me interes publik. Një nga sfidat, jo vetëm lokale, por edhe ndërkombëtare, për të cilën synohet një mbështetje e nevojshme, lidhet me hyrjen në profesion. Trendi i uljes së kërkesave dhe numrit të profesionistëve të rinj në treg tregon ndër të tjera dhe nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e këtij profesoni në ekonomi”, tha kryetari i Bordit të Mbikëqyrjes Publike, Dritan Fino.
Gjatë konferencës me temë “Sfidat dhe arritjet e mbikëqyrjes publike në përmirësimin e cilësisë së auditimit dhe raportimit financiar” u trajtuan zhvillimet kryesore lidhur me arritjet e realizuara në projekt, duke u fokusuar në ndikimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të sigurimit të cilësisë. Qëlimi është që auditimet ligjore të kryhen në një mjedis të kontrolluar, transparent dhe të kujdesshëm që i shërben interesit publik.