“Fundi i luftës do të vijë shpejt”, Trump: Zelensky dhe Putin janë gati për bisedime

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar se Zelensky do të përfshihet në negociata për t’i dhënë fund luftës, ndërsa theksoi se pritet shumë shpejt edhe një takim i tij me kreun e Kremlinit Vladimir Putin.
“Nuk ka kohë të caktuar, por mund të ndodhë shumë shpejt. Unë mendoj se ai dëshiron t’i japë fund luftës. Ata duan ta përfundojnë shpejt. Të dy. Edhe Zelensky”, tha Trump.
Komentet vijnë në kohën kur udhëheqësit amerikanë janë duke u përgatitur për bisedime me Rusinë në Arabinë Saudite, nën udhëheqjen e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Ndërkohë pas deklaratave të zëvendës presidentit amerikan JD Vance një Samit urgjent dhe i jashtëzakonshëm i thirrur nga presidenti francez, Emmanuel Macron mund të vendosë pikat mbi atë çfarë do të jetë e ardhmja e gjithë kontinentit në këtë dekadë.
Siç është pararendur në detaje, ky Samit i BE-së i thirrur nga Macron pritet të shënjojë një përgjigje të Bashkimit Evropian kundrejt presidentit amerikan, Donald Trump, i cili përjashtoi Evropën nga negociatat e paqes në Ukrainë.
Deri tani është konfirmuar pjesëmarrja e liderëve më të lartë brenda BE-së, duke përfshirë Macron si pritës, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, atë polak Donald Tusk, Pedro Sanchez të Spanjës dhe Dick Shcoof nga Holanda e Mette Friedreksen nga Danimarka./vizionplus.tv




