Ftesa e Trump, Duka: Ishte për Shqipërinë, Rama po mundohet ta shfaqë si ftesë personale

Ftesa e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, u kthye menjëherë në vendin tonë në një pikë debati mes mazhorancës dhe opozitës.
I ftuar këtë të martë në studion e Quo Vadis, të moderatores Pranvera Borakaj, në Vizion Plus, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, tha se kjo është një ftesë për Shqipërinë dhe jo për Edi Ramën.
Sipas tij, Rama po e përdor këtë ftesë për të forcuar pozitat e veta.
“Ideja është pozitive. Ajo që bën përshtypje është rendja e kryeministrit, një gjë që është rutinore. Nëse do të flisnim para disa vitesh, mund t’i jepej rëndësi. Duke qenë në një pozicion të lëkundur, Rama po mundohet ta shfaqë si ftesë personale. Unë personalisht nuk e besoj është ftesë që i bëhet Shqipërisë. Nuk do të thotë që SHBA mbështesin Ramën, SHBA mbështesin drejtësinë e re. Në momentet që i janë lëkundur pozicionet, Rama ka folur kundër drejtësisë së re”, tha Duka.




