Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në PD, Enri Çeno, ka analizuar këtë të martë në Quo Vadis, të moderatores Pranvera Borakaj, në Vizion Plus, ftesën e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për Shqipërinë për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes.
Çeno tha se kjo nuk është ftesë vetëm për Ramën, por për Shqipërinë, ashtu siç është bërë edhe për 100 shtete të tjera.
Sipas tij, SHBA po kërkojnë të krijojnë dualitete ndaj institucioneve të OKB-së.
Pjesë nga biseda:
Çeno: Ky Bord është një lloj dualiteti që i bëhet institucioneve të OKB-së. Në këto 12 muaj, SHBA-të janë larguar nga mbi 60 organizata ndërkombëtare. Ftesa që i është bërë nga presidenca amerikane u ka shkuar mbi 100 vendeve anëtare të OKB-së. Shqipëria ka edhe rëndësi në aspektin gjeopolitik; këtu është kryqëzimi ku bashkohen dhe përplasen traditat dhe historitë.
Borakaj: I ka shkuar kjo ftesë Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi?
Çeno: Në të ardhmen do të bëhen publike. Ftesa i ka shkuar edhe Lukashenkos. Kjo është një retorikë për konsum të brendshëm, nuk ka zhvillim të madh. Ne kemi të dyja palët, sepse nuk është krijuar strategji ndaj diplomacisë. Nga njëri krah ke një lloj ngazëllimi të marrëdhënieve të kryeministrit të Shqipërisë me SHBA-të. Marrëdhëniet e Shqipërisë duhet të jenë përherë pozitive me SHBA-të dhe me krijimin e një ideje imazhi që SHBA-të, sidomos pas asaj që ndodhi me Maduron në Venezuelë. Nga krahu tjetër kemi Ramën, që po e shet si sukses personal, pasi SHBA-të po bëjnë presion ndaj SPAK-ut për hetimin dhe dënimin e personave anëtarë të kësaj qeverie, të cilët akuzohen për korrupsion.





