Është fronëzuar në Katedralen Ngjallja e Krishtit këtë të shtunë Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi. Ky moment i hap rrugë ushtrimit të plotë të detyrës si drejtues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Gjatë fjalimit të tij të parë si kryepeshkop, Johan Pelushi u shpreh se forcimi i unitetit brenda kishës është një nevojë e domosdoshme për të arritur qëllimin e saj. Fortlumturia e tij nënvizoi se diktatura shkatërroi muret e jashtme të kishave, por jo zemrat e besimit.
“Falenderojmë martirët e lirisë që përhapën dritën e besimit. Diktatura shkatërroi muret e jashtme të kishave, por nuk mundi të shkatërrojë zemrat e besimit. Çdo kohë ka patur sfidat e saj. Shekulli ku jetojmë me teknologjitë e reja paraqet sfida të reja dhe nga këto nuk përjashtohet as kisha jonë. Na duhet të përballemi jo vetëm për tu mbrojtur, por edhe të gjejmë zgjidhje. Përpjekja dhe përqendrimi ynë, ruajtja dhe mbrojtja nga Perëndia, forcimi i unitetit brenda kishës është një nevojë e domosdoshme për të arritur qëllimin e saj”, tha Kryepeshkopi Joan.
Të pranishëm në ceremoni ishin qindra besimtarë, si dhe personalitete jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Greqia. Fronëzimi i kryepeshkopit Joan shënon një kapitull të ri në jetën shpirtërore të vendit tonë, u shpreh presidenti Bajram Begaj, ndërsa shtoi se shteti do të jetë gjithmonë në mbështetje të kishës.
“Fronëzimi shënon një kapitull të ri të jetës shpirtërore të vendit tonë që nis me shpresë dhe përgjegjësi. Kisha nuk është vetëm një institucion fetar, por një udhërrëfyes mbrojtës i vlerave shpirtërore dhe kulturore të vendit. Fronëzimi i Fortlumturisë së tij, Kryepeshkopit Joan, shënon një kapitull të ri në jetën shpirtërore të vendit tonë, me shpresë dhe përgjegjësi. Është një moment solemn që përmbledh në vetvete vazhdimësinë. Nuk mund të mos ndalem për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për kryepeshkopin Anastas, i cili për dekada me radhë shërbeu me urtësi dhe përkushtim, duke i dhënë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë forcë dhe dritë”, u shpreh presidenti Bajram Begaj.
Të dielën, kryepeshkopi do të mbajë në Katedralen Ngjallja e Krishtit shërbesën e parë si kryepeshkop tashmë i fronëzuar, ndërkohë që duhet të zgjedhë pasuesin e tij në Mitropolinë e Korçës, aty ku shërbeu pa ndërprerje që nga viti 1998.
/vizionplus.tv





