Subscribe

I arratisur nga Turqia me 2 miliardë dollarë që ua vodhi punonjësve të kompanisë së tij,  Drejtori i Përgjithshëm i “Thodex”  Fatih Özer, është kapur në qytetin e Himarës si rezultat i operacionit të kryer nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania dhe DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

 

28-vjeçari nga Turqia, Fatih Ozer, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

 

Pas arrestimit të tij, Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka njoftuar homologun e tij turk, Süleyman Soylu se themeluesi i “Thodex”, i arratisuri Faruk Fatih Özer, i cili ishte në kërkim me njoftim të kuq, dhe është kapur në Himarë dhe identiteti i tij u konfirmua nga rezultatet biometrike.

 

Fatih Özer i cili u kap në plazhin e Himarës, bashkë me dy shtetas të tjerë Briken Shkembi 36 vjeç banues në Tiranë dhe Elvaldo Haxhiu, 37 vjeç, banues në Durrës.

 

Turku shihet që kishte ndryshuar pamjen, ishte qethur dhe shëndoshur, për të mos u njohur.

 

Njoftimi i Policisë:

 

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pas shumë kërkimesh në disa qarqe të vendit, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi shumë të kërkuar nga drejtësia turke, si dhe falë përdorimit të metodave proaktive nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Brain”.

 

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit turk F. O., 28 vjeç.

 

Ky shtetas u kap në Himarë, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara. Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021, ndaj 28-vjeçarit, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

 

Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, B. Sh., 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe E. H., 37 vjeç, banues ne Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.

 

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *