Është arrestuar autori kryesor i vrasjes së dyfishtë që ndodhi në Laç mbrëmjen e 30 majit ku mbetën të vrarë shoku i Ervis Martinajt, Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.

Në pranga ka rënë 30-vjeçari Eduard Lama, ndërkohë policia njofton se janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim edhe 3 bashkëpunëtorë të tjerë në këtë krim.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes viktimave e autorëve, Lama kishte marrë një plagë në këmbë, ndërkohë që gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Kjo bëri që familjarët e 30-vjeçarit ta dërgonin në një klinikë private.

Ndërhyrja u mor përsipër nga dy mjekë, një ortoped i Lezhës dhe një kirurg i spitalit të Traumës, të cilët kishin pranuar që të kryenin operacionin, pa e referuar ngjarjen në polici kundrejt një shume prej 10 mijë eurosh. Operacioni ishte planifikuar në një klinikë private në qytetin studenti në Tiranë.

Policia arrestoi edhe dy mjekët, Viktor Marku dhe Besim Lamaj, për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Lama është personi i dytë që arrestohet për këtë ngjarje. I pari në pranga ra Kreshnik Tusha, i cili gjithashtu mbeti i plagosur si pasojë e shkëmbimit të zjarrit.

Bujar Lika dhe biznesmeni Paulin Gjergji u ekzekutuan më 30 maj. Një person i  maskuar si polic qëlloi me armë automatik drejt tyre. Nga kamerat e sigurisë u vërtetua se mes viktimave dhe autorëve pati shkëmbim zjarri. Bujar Lika qëlloi me pistoletë drejt atentatorëve.

Njeri nga autoret edhe pse u plagos qëlloi sërish duke lënë të vdekur në vend Bujar Likën dhe plagosur rëndë Paulin Gjergjin, i cili më pas ndërroi jetë në spitalin e Traumës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *