Përfaqësues të autoriteteve të mbikqyrjes financiare nga disa vende të botës janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar mbi zhvillimin dhe mbikqyrjen e marrëveshjeve për fondet e pensioneve. Ky forum zhvillohet në bashkpunim edhe me Organizatën Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Pensioneve, (IOPS) dhe Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

 

Në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi theksoi se për Autoritetin është privilegj dhe përgjegjësi e lartë organizimi i Forumit Global të Pensioneve Private për herë të parë në Tiranë.

 

“Aktivitete të këtyre përmasave përveç shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira midis rregullatorëve të tregjeve financiare shërbejnë më së miri për të promovuar Shqipërinë në Botë”, tha ai.

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Anila Denaj u ndal te rëndësia e zhvillimit të tregut të pensioneve private, në funksion të rritjes së mirëqënies për qytetarët dhe largimit të presionit nga skema shtetërore e pensioneve.

 

Temat kryesore që do të trajtohen në Forum përgjatë dy ditëve të punimeve të tij, lidhen me: Reformat e pensioneve në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore gjatë 20 viteve të fundit; Zhvillimet e qëndrueshme për fondet e pensioneve: çështje të politikave rregullatore dhe mbikëqyrëse; Hartim i mirë i planeve të pensioneve me kontribut të përcaktuar: Udhëzuesi i OECD; Mënyra për të ndërtuar dhe mbikëqyrur marrëveshjet e pensioneve të mbështetura nga punëdhënësi; Fondet e pensioneve dhe ndërthurja me tregun e kapitaleve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *