Subscribe

Ndryshimet në ligjin për turizmin, për të cilin nisën diskutimet në komisionet parlamentare, synojnë që gjatë këtij viti të normalizojnë strukturat akomoduese, duke luftuar kështu informalitetin në këtë sektor.

Numri dy i Ministrisë së Turizmit, Vilma Bello dha për herë të parë disa të dhëna për njësitë akomoduese që preken nga këto ndryshime.

“Ne kemi disa shifra për informalitetin në sektorin e turizmit. Në total raportohen afro 4.556 struktura, nga këto 1.294 janë në Tiranë dhe këto janë të paformalizuara. Nga të dhënat e AirBnB janë 3 mijë apartamente të paregjistruara dhe të pastandartizuara. Struktura të kategorizuara janë 1.500.”, tha zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Vilma Bello.

Veç formalizimit, në objektivat e qeverisë është edhe që të arrihet në një turizëm gjithëvjetor dhe me standarde.

 “Shqipëria synon një turizëm që nuk përqendrohet vetëm në shifra, por edhe në rritjen e standardit në turizëm. Vërtet që nuk kufizojmë numrat për të hyrë në Shqipëri, por ajo që synojmë është të shkojmë te një turizëm elitar, turizëm i një niveli të lartë dhe janë këto ndryshimet dhe qasja në strategji që do të na çojë drejt kësaj. Nuk kemi në fokus rritjen e numrave sesa rritjen e turizmit të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor dhe me standarde”, shtoi Bello.

Sipas ndryshimeve ligjore, çdo strukturë akomoduese, ka detyrimin të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, të pajiset me certifikatën e kategorizimit nga Ministria e Turizmit, si edhe të regjistrojë elektronikisht të dhënat për çdo vizitor./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *