Nga Mola Luku
Fuqizimi i bashkive sa i përket financave, burimeve njerëzore si dhe projekteve konkrete, janë sfidat kryesore dhe fokusi i Partisë Socialiste që pritet të adresohen në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territorial. Në një intervistë për Vizion Plus, bashkëkryetari Arbjan Mazniku u tregua i qartë se objektivi i mazhorancës është që të forcohen kapacitetet e institucioneve vendore.
“Ne duhet të shohim kompetencat e bashkive. Sa kapacitet apo buxhet kanë bashkitë për t’i ofruar qytetarëve shërbimin e nevojshëm. Cilat janë ndryshimet që duhet të kryejmë në mënyrë që ne ti arrijmë pikërisht këto elementë që do të fuqizojnë bashkitë për 10 apo 20 vitet e ardhshme”, tha Mazniku.
Mazniku shpjegoi se ndryshe nga reforma elektorale, territorialja ka afat pasi ndryshimet duhet të miratohen një vit para zgjedhjeve lokale.
“Ne kemi një dritare shumë të ngushtë. Kjo do të thotë që deri qershorin e vitit 2026 ne duhet të kemi gati ndryshimet e nevojshme që nevojiten për nivelin vendor, ndërsa elementët e tjerë mund ti shohim më pas. Pra këto ndryshime duhet të kryhen përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore, përndryshe dritarja na hapet për zgjedhjet vendore të 2031-shit”, shtoi Mazniku.
Nëse mazhoranca ka një plan për të ulur numrin e bashkive në vend, bashkëkryetari socialist dha këtë përgjigje.
“Është ende herët për të folur për ulje apo rritje të numrit të bashkive. Nëse ne flasim për numra tani, sfumojmë çështje të tjera të cilat janë me rëndësi dhe që pritet të diskutohen në mbledhjet e reformës territoriale”, tha ai.
Mazniku e vuri theksin edhe tek bashkëpunimi me opozitën teksa nenvizoiedhe kërkesat e miratuara në mënyrë që të mos ketë bojkot apo përplasje nga të djathtët.
“Kërkuan numër të barabartë anëtarësie, ne ia dhamë atë. Kërkuan bashkëkryetar, ne gjithashtu ia miratuam si kërkesë. Pra, ne i kemi dhënë disa sinjale opozitës për të treguar qartë që kërkojmë një reformë gjithpërfshirëse”, tha Mazniku.
Të enjten do të zhvillohet mbledhja e dytë pas konstituimit të komisionit të posaçëm për reformën territoriale, ku pritet ti bashkohenedhe anëtarët e Partisë Demokratike.





