“Forcat ballafaqohen në zgjedhje”, Rama: Dhuna nuk është ide, por krim

Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe një herë se rruga për të kërkuar të drejtat dhe për të kundërshtuar qeverinë duhet të jetë ajo e ballafaqimit demokratik dhe paqësor.
Në një komunikim në rrjetin e tij social Facebook, Rama u shpreh se qytetarët kanë të drejtën e protestës paqësore, ndërsa theksoi se dhuna nuk përbën një formë shprehjeje politike, por një krim dhe kërcënim për lirinë dhe qetësinë publike.
Rama: Rruga për të kërkuar të drejtat, rruga për të luftuar demokratikisht kundër kujtdo që ti ndjehesh se nuk të përfaqëson, është rruga paqësore e ballafaqimit demokratik të ideve dhe të forcave. Idetë ballafaqohen çdo ditë, forcat ballafaqohen në zgjedhje. Mes të dyjave qëndron edhe liria e paprekshme, e drejta e padiskutueshme e protestës paqësore.
Me apo pa vetëdije, shumë studentë, shumë qytetarë që gjejnë arsye për të protestuar ndaj qeverisë dhe ndaj meje, nuk iu bashkuan asaj turme, e cila në kulmin e vet arriti të jetë 1,500 vetë.
Dhuna nuk është ide, është krim, armik i lirisë, armik i qetësisë. Nëse Shqipëria ka shumë gjëra për të bërë ende, Shqipëria ka një domosdoshmëri absolute për të siguruar qetësinë e çdo individi që qarkullon i lirë në rrugët e vendit.
Ka një orë për të folur për të gjitha, ora për të folur sot ishte kjo. Nesër do t’ju ekspozojmë të tjera gjëra, për të ndarë me të gjithë një bindje të rrënjosur te informacioni, te funksionimi i institucioneve, bindjen se askush nuk do të mbetet pa u ekspozuar”, tha shefi i qeverisë shqiptare.




