Flamuri i UÇK-së në protestën e Tiranës, Shoqata e Veteranëve të Luftës: Po keqpërdoret simboli në akte vandalizmi

Shfaqja e flamurit me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë protestës në Tiranë ka sjellë reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila dënon përdorimin e këtij simboli në akte vandalizmi dhe dhune.
Në një deklaratë, organizata thekson se flamuri i UÇK-së përfaqëson luftën çlirimtare të Kosovës, dëshmorët dhe sakrificën për liri, duke nënvizuar se ai nuk duhet të përdoret për të justifikuar apo identifikuar veprime që dëmtojnë pronën publike dhe private.
Reagimi i plotë:
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon çdo keqpërdorim të flamurit me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në akte vandalizmi.
Ky simbol përfaqëson Luftën Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e kombit dhe lirinë e fituar nga kjo sakrificë. Si i tillë, kurrë nuk mund të përdoret për të justifikuar, identifikuar apo fshehur veprime që dëmtojnë pronën publike apo private.
Çdo qytetar ka të drejtën e protestës, por asnjë pakënaqësi, sado e thellë të jetë, nuk i jep të drejtë askujt ta lidhë flamurin e UÇK-së me dhunën, shkatërrimin dhe plaçkitjet. U bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave, të ruajnë dinjitetin dhe shenjtërinë e këtij simboli.




