“Flamingot cënuan dinjitetin duke i qëlluar me vezë”, Mërtiri “përplaset” me Dudushin: Deputetët e kanë hak

Analisti Ergys Mërtiri deklaroi në edicionin maratonë të lajmeve në Vizion Plus se zemërimi qytetar është akumuluar prej kohësh dhe nuk mund të shuhet me gaz lotsjellës apo ujë me presion. Sipas tij, edhe nëse protesta aktuale ndërpritet, qytetarët do të rikthehen sërish në rrugë, për sa kohë që pakënaqësitë ndaj qeverisë mbeten të pazgjidhura. Ai ironizoi edhe vendimin për largimin e pllakave të bulevardit, duke u shprehur: “Ta bëjmë Tiranën me dhe, se kryeministri ka frikë nga gurët dhe pllakat e bulevardeve”.
Gjatë debatit, Mërtiri argumentoi se protestuesit po reagojnë ndaj një situate ku qytetarët ndihen të shtypur dhe të vjedhur, ndërsa qeveria, sipas tij, nuk bën lëshime edhe përballë protestave masive.
Nga ana tjetër, Dudushi mbrojti qëndrimin se policia nuk mbron Edi Ramën, por institucionet dhe rendin në Shqipëri. Ai theksoi se përshkallëzimi i protestës shoqërohet me rritjen e intensitetit të reagimit policor, ndërsa kundërshtoi përdorimin e dhunës dhe cenimin e dinjitetit të deputetëve.
Mërtiri deklaroi se deputetët “e kanë pasur hak të qëllohen me vezë”.
Dudushi: Kjo që po ndodh tani është një përshkallëzim i një dhune që ka nisur prej kohësh. Terrorizmi online i atyre që dilnin kundër flamingove ka qenë i llahtarshëm. Ato vezët që tentojnë të cënojnë dinjitetin janë një element dhune që u rrit.
Mërtiri: Deputetët e kanë pasur hak të qëllohen me vezë.
Dudushi: Nuk ke të drejtë të thuash kush e ka hak. Disa e kanë hak t’u thuash të vërtetën në sy, jo t’u cenosh integritetin dhe dinjitetin.
/vizionplus.tv




