Zjarri në kurorën e liqenit të Zi në Bulqizë ka dalë jashtë kontrollit. Autoritetet bëjnë thirrje për ndërhyrje nga ajri pasi flakët nuk po vihen në kontroll.
Pas gjithë përpjekjeve të bëra nga toka për 7 ditë me radhë ka qenë e pamundur që flakët të shuhen plotësisht teksa këtë të premte janë shfaqur disa vatra zjarri, të cilat janë favorizuar nga era e fortë.
Zjarri në malin e Tërnovës në Bulqizë ka djegur disa hektar pyll me pemë shekullore.
Po ashtu një zjarr me përmasa të mëdha vijon prej 3 ditësh në juglindje të vendit Malin e Thatë nga ana e Maqedonisë së Veriut.
Zjarri ka përfshirë jo vetëm bimësinë e ulët por edhe bimët medicinale e kullotat në anën shqiptare të këtij vargmali.
Flakët janë përhapur me shpejtësi si pasojë e erës dhe temperaturave të larta, ndërsa janë angazhuar forca të shumta të shërbimit zjarrfikës të palës maqedonase, por edhe ato të bashkisë së Pustecit përfshi dhe punonjës të zonave të mbrojtura duke bërë të mundur izolimin e zjarrit.
Ndërkohë edhe Parku kombëtar i Prespës rrezikohet nga vatrat e zjarrit në afërsi të tij.
Ndaj për të shmangur sa më shuam afrimin e flakëve, forca të shumta zjarrfikëse janë duke mbajtur në kontroll këtë zonë. /vizionplus.tv