Subscribe

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, në mesazhin e fundit për qytetarët shqiptarë para largimit nga vendi ynë, theksoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithnjë në krah të Shqipërisë. Diplomatja amerikane gjatë një konference me gazetarët deklaroi se në 3 vitet e fundit marrëdhëniet mes Tiranës e Uashingtonit janë forcuar, duke listuar arritjet në fushën e demokracisë, sigurisë dhe në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Nga ana tjetër ambasadorja Yuri Kim inkurajoi institucionet tona e qytetarët  të ecin përpara në rrugën drejt ndërtimit të një Shqipërie më të mirë.

 

YURI KIM

AMBASADORE E SHBA

“Mos ndaloni. Vazhdoni të ecni përpara, hap pas hapi derisa të arrini qëllimin tuaj. Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju, në çdo hap të rrugës. Ne kurrë nuk do të lëkundemi në mbështetjen ndaj aspiratave të popullit shqiptar për të zënë vendin që u takon në tryezën europiane.”

 

Ambasadorja solli në vëmendje se gjatë mandatit të saj Shqipëria drejtoi me sukses OSBE, luajti një rol të rëndësishëm në mbështetje të Ukrainës si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, u konsolidua zbatimi i reformës në drejtësi dhe qytetarët shqiptarë tashmë marrin viza 10-vjeçare për të udhëtuar drejt SHBA.

 

“Ndërsa shqiptarët tregojnë se po i zbatojnë rregullat në lidhje me vizat, kam besim se do të vijë dita kur nuk do të kërkohen më fare vizë.”

 

Përtej arritjeve diplomatja amerikane ka listuar edhe fushat, ku mund të ishte bërë më shumë, si lufta ndaj korrupsionit.

 

“Ka një problem me korrupsionin, po ka. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jenë të pavarur e duhet të punojnë me integritet,  prandaj SHBA dhe be u përpoqën kaq shumë  për   reformën  në drejtësi.”

 

Gjatë komunikimit me gazetarët ambasadorja Yuri Kim komentoi aksionin e policisë një ditë më parë në kampin e muxhahedinëve, duke e mbështetur atë.

 

“Një gjë është shumë e qartë, ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjin në vendin e saj. Dhe ka disa terma, që aplikohen për të gjithë mysafirët në vendin tuaj dhe këto duhet të respektohen prej tyre.”

 

Në lidhje me zhvillimet në Kosovë, diplomatja amerikane solli në vëmendje se Shtetet e Bashkuara janë miqtë më të afërt të Kosovës.

 

“Nuk mendoj si dikush ka nevojë t’i kujtojmë se sa shumë Shtetet e Bashkuara besojnë tek Kosova. Dashuria e angazhimi që ne kemi për një Kosovë të pavarur e sovrane. Nëse ju keni nevojë për prova ju rekomandoj të shihni disa vite më parë. Çështja është cilat janë hapat që duhen ndjekur që të dy palët të lëvizin së bashku. Dhe kjo është koha që udhëheqësit të lenë mënjane egon, dhe te mendojnë për projektin kombëtar, të mendojnë kush janë miqtë e tyre, ta marrin në konsideratë këshillën e miqve të tyre.” 

 

Mandati i ambasadores amerikane Yuri Kim në Tiranë u shënjua nga një përplasje e ashpër me ish-kryeministrin Sali Berisha pas shpalljes së tij non grata nga sekretari amerikan i shtetit në 19 majin e vitit 2021.

 

“Ka diçka në lidhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  ne gjithnjë shohim nga e ardhmja. Dhe çdo ambasador amerikan që ka qenë, është apo do vijë në Shqipëri gjithnjë do të përpiqet ta drejtojë Shqipërinë nga e ardhmja.” 

 

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, do të largohet nga Shqipëria për të nisur detyrën si zëvendësndihmës sekretare amerikane e shtetit.

 

“Në pozicionin tim të ardhshëm unë do të kem në fokus të gjithë Europën, përfshi Shqipërinë. Jo të gjithë janë të kënaqur me këtë, por unë jam.”

 

Yuri Kim nisi detyrën si ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në janarin e vitit 2020 e javën e ardhshme ajo do të largohet drejt SHBA për të marrë detyrën e rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *