Skenderbeu ka reaguar zyrtarisht në lidhje me lajmet e publikuara në media këtë të premte mbi mundësine që klubi korçar të fitonte pafajësine në CAS pas dënimit të dhënë nga Uefa për trukim të rezultateve në Kupat e Europës.
Në bazë të këtyre lajmeve që qarkulluan fillimisht në ambjentin futbollistik korçar dhe me tej edhe në mediat e rëndësishme në vend, përflitej se mes Uefa-s dhe Skenderbeut mund të gjehej një gjuhë e përbashkët, në mënyrë korçarët të shfajësoheshin, madje të dëmshpërbleheshin nga Uefa.
Por klubi juglindor i ka konsideruar si thashetheme këto lajmë teksa sqaron se po pret me qetësi seancën degjimore në CAS në mesin e muajit prill.
Ekipi korçar është i bindur se do të dalë fitimtar nga kjo beteje por i kërkon tifozëve që deri në 16 shkurt të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe ta presin me qetësi vendimin. Më poshte deklarata e plotë e klubit Skenderbeu:
SQARIM PUBLIK:
Klubi i Futbollit “Skënderbeu” është i detyruar të sqarojë të gjithë dashamirësit e ekipit dhe ata që duan të dinë më shumë për vendimin që ne presim nga CAS-i.
Të gjitha ato që fliten së fundi në ambjentet futbolldashëse, në mediat e shkruara dhe elektronike, por edhe në të gjitha rrjetet sociale janë vetëm thashetheme dhe asgjë më shumë se kaq.
Jemi mësuar prej shumë kohësh me këto thashetheme dhe ne u themi të gjithë tifozëve që të qëndrojnë me “këmbë në tokë”. Të vetmet sqarime zyrtare dhe reale mund ti gjeni vetëm në faqen tonë.
Ju njoftojmë se Seanca Dëgjimore në CAS do të jetë në datën 16 prill 2019 dhe sigurisht do të presim të qetë këtë ditë dhe bashkë me të edhe vendimin zyrtar.
Jemi të qetë dhe të bindur që ne do të dalim fitimtarë në fund, por na vjen keq për thashethemet e fundit dhe ishim të detyruar për këtë sqarim.
Faleminderit për mirëkuptimin!





