Fieri është “veshur” kuqezi ditën e sotme, pasi atmosfera festive për ditën e 28 Nëntorit vijon në qytet.
Qytetarët kanë dalë në qendër të qytetit me flamujt kuqezi me vete.
Gjithashtu dhjetëra qytetarë me flamuj në makinat e tyre kanë bërë një paradë në qendër të qytetit duke u ndjekur nga grupmosha të ndryshme.
Ndërkohë, ditën e sotme festa siç është kthyer tashmë në traditë, nisi nga sheshi i Flamurit në Vlorë.
Ceremonia e ngritjes së flamurit në Vlorë bëri bashkë krerët më të lartë të kombit: Presidenti Bajram Begaj, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, kryeministri Edi Rama dhe kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti.
Veç Vlorës, edhe kryeqyteti “u vesh” kuqezi. Tirana, për të dytin vit radhazi mirëpriti “Paradën e Shqiptarëve”, duke vënë në pah pasurinë e kulturës dhe traditave shqiptare nga të gjitha trojet. Marshimi nisi nga sheshi Italia drejt sheshit Skënderbej.
Nuk mund të mungonin as festimet në Kosovë. Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe përfaqësues të tjerë shtetërorë zhvilluan homazhe në memorialin e komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz. 28 nëntorit përkon me ditën e lindjes së komandantit Jashari dhe gjithashtu me daljen për herë të parë në publik të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës uruan Shqipërinë duke theksuar marrëdhënien e ngushtë mes dy vendeve dhe nevojën për paqe dhe siguri.





