Festohet lindja e Jezu Krishtit, katolikët dhe ortodoksët mbajnë meshat tradicionale për ardhjen e shpëtimtarit në botë
Besimtarët katolikë e ortodoksë në të gjithë vendin festojnë sot Krishtlindjen.
25 dhjetori dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në mbarë botën u prit mbrëmë nga qindra besimtarë edhe në Tiranë.
Mesha në kishën katolike të kryeqytetit nisi në orën 23.00 për të shënuar kulmin në mesnatë.
Kreu i kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj që drejtoi meshën për besimtarët katolikë në Katedralen e “Shën Palit” përcolli mesazhin e tij , duke u fokusuar tek edukimi i brezave të rinj.
“Sot ripërsëritet fjala plot shpresë e Zotit: Ka lindur për ne një shpëtimtar. Jo abstrakt, por i imi dhe yti. Ka lindur Krishti që shpëton, sepse ka ardhur për të shpëtuar popullin e tij dhe populli i Zotit je ti, jemi ne. Kemi nevojë t’i edukojmë brezat e ri tek shpresa sepse janë të shpërqëndruar nga gjërat e kota, nuk dinë të shohin gjërat e bukura. Kush nuk ka shpresë nuk ka familje, nuk jeton në rrjet, nuk është online me dashurinë me fenë e Zotin”, tha Arjan Dodaj, kreu i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës
Ndërsa besimtarët ortodoksë kremtuan meshën mëngjesin e kësaj të mërkure në katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Mesazhi i kryepeshkopit Anastas Janullatos u përcoll për të gjithë besimtarët në këtë ditë të shenjtë.
Krishtlindja është festa më e rëndësishme e komunitetit të krishterë.
Qytetarë të shumtë uruan dhe përcollën mesazhe për më shumë dashuri paqe dhe solidaritet mes njëri tjetrit.




