Jemi në Marina Orikum aty kur për tre ditë me radhë do të zhvillohet panairi i parë Ballkanik detar, një panair që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe veçanërisht në Marina Orikum. Në vende të ndryshme të botës, një panair i tillë njihet si Festivali i Jahteve.
“Panairi detar” është një event i cili ka për qëllim të mbledhë biznese që operojnë në fushën detare. Edhe pse ky segment i ekonomisë mund të konsiderohet në fillesat e tij, e ardhmja është shumë premtuese për të sjellë një vlerë të shtuar në ekonomi…Grupi Concord Investment edhe këtë herë u bë pjesë e eventeve që nxisin ekonominë detare me Marina Orikum.
“Sektori detarë përfaqëson në Shqipëri një mundësi të lartë për tu zhvilluar më tej. Ne si grup, shohim që çdo gjë është në zhvillim e sipër, çdo gjë është për tu zbuluar, bizneset kanë hapësirën e tyre në këtë panair për të ofruar produktet dhe shërbimet që përfaqësojnë. Evente të tilla ndihmojnë bizneset të krijojnë kontaktet dhe të rriten më tej, ndaj ku më mirë se në Marina Orikum mund të zhvillohej ky aktivitet” – tha presidentja e BSF Monika Micheli Panozzo.
Interesi i kompanive të fushës ka qenë i lartë. Mbi 60 biznese vendasve, rajonale dhe europiane u bënë pjesë e këtij panairi, si një mundësi për të nxitur më tej ekonominë detare. Njëri prej tyre është Dori Mersini instruktorë i patentave detare, përfaqësuesi i kompanisë TSTS.
“Është e udhës të përmendet që ky lloj aktiviteti që është Marina Orikum nuk ka asnjë lloj diference me atë që shikojmë në marinat e vendeve fqinj. Por edhe pse ende mungojnë shumë facilitete jemi të bindur se jemi në rrugën e duhur, pasi kemi filluar të jemi në projektin e duhur” -tha Mersini.
“Ne si grup jemi me fat mbi pjesëmarrjen e kompanive shqiptare në këtë event, flasim për kompanitë e vogla dhe të mesme. Ne shohim që ata po organizohen, po bashkëpunojnë duke krijuar një organizatë e cila ka të gjithë mundësinë që të ketë të ardhme. Ky bashkim është e vetmja mënyrë për të konkurruar kompanitë e huaja në këtë fushë” -tha organizatorja e këtij eventi .
Por kompanitë pjesëmarrëse shfaqën interes dhe për projektet në real- estate, pasi ekonomia detare dhe real estate gërshetohen më së mirë në atë që tregu turistik ka nevojë, turizmi elitar.
“Ky ishte eventi i duhur në Marina Orikum për të thënë që aty ku ka zhvillim të ekonomisë detare ky zhvillim shkon krah për krahë edhe më tregun e real estate. Ky treg tashmë është konsoliduar dhe ky fakt konfirmohet dhe nga shifrat e Bankës së Shqipërisë” -tha Reinaldo Pipiria nga shoqata NAREA.
Rritja e ekonomisë shqiptare po udhëhiqet nga ndërtimi, turizmi dhe real estate. Ndaj dhe ekonomia detare, me zhvillimin e marinave, industrisë së jahteve është një sektor strategjik që së bashku me projektet në ndërtim do të ofrojnë një rritje të qëndrueshme dhe me standard.
/vizionplus.tv