Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka zgjedhur të gëzojë disa fëmijë të qendrës komunitare në Kombinat. Në këtë atmosferë festash ai shpërndau disa dhurata për fëmijët në vështirësi ekonomike. Ai apeloi për më shumë solidaritet.

 

“Jam shumë krenar për ju dhe jam shumë i lumtur që jemi këtu sot, në një hapësirë më të madhe, më të bukur. Është një ambient ku fëmijët vijnë të bëjnë detyrat, ku ne ndihmojmë edhe disa fëmijë specialë, që kanë pak më shumë nevojë për ndihmë, dhe të sigurohemi që të gjithë shkëlqejnë. Por, sigurisht, ky është edhe një ambient për gjyshërit e gjyshet, që edhe ata të kenë një vend ku të takojnë njëri-tjetrin, të hanë një vakt të ngrohtë. Shpresoj shumë që kur të rriteni, do e vazhdoni ju këtë punë. Nëse në këtë qytet rritemi me dashuri, qyteti bëhet edhe më i mirë se ç’është. Nëse dikush ka nevojë për një fjalë të mirë, që t’i trokasim në derë dhe t’i themi gëzuar festat, kjo do t’ia ngrohte zemrën shumë”, tha ai.

 

Në këtë qendër ofrohen shërbime edhe për të moshuarit dhe njerëzit e tjerë në nevojë si dhe për fëmijë me aftësi ndryshe.

 

“Fakti që qindra fëmijë marrin shërbime këtu, i bëjnë detyrat këtu, marrin ndihmën e psikologut, një trajtim dhe terapi të veçantë, është një ndihmë e jashtëzakonshme për familjet e tyre. Ndoshta vërtet nuk ka duk siç mund të ketë një vepër e madhe publike, por unë besoj se vepra më e madhe në qytet, aseti më i rëndësishëm i tij, janë njerëzit. Qytete pa asfalt kam parë, qytete pa pemë kam parë, pa shtylla, pa pllaka. Por qytete pa njerëz nuk kam parë. Puna që bëjmë me njerëzit për t’u siguruar që në këtë qytet nuk ka rëndësi nëse një fëmijë jeton në Kombinat, në Ndroq, në Vaqarr, në Astir – pra nëse është në dukje në periferi – nuk ka nevojë të jetë në periferinë e vëmendjes sonë. Qyteti ka edhe qendër, ka edhe periferi, por për sa kohë që shërbimet janë njësoj dinjitoze dhe shanset për çunat dhe gocat janë njësoj të barabarta për të ecur përpara në jetë, e kemi kryer misionin tonë”, nënvizoi ai.

 

Sikurse e ka kthyer tashmë në traditë, Bashkia e Tiranës, në kuadër të festave të fundvitit, është më pranë fëmijëve dhe qendrave komunitare në qytet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *