Policia e Korçës ka marrë masat e duhura të sigurisë për garantimin e sigurisë publike, për manifestimin e Festës së Birrës-Gusht 2018. Eventi i Festës së Birrës, do të zhvillohet nga e mërkura deri të dielën në qytetin e Korçës, përpara Stadiumit “Skënderbeu” si edhe tek “Pazari i Vjetër”.

 

Policia njofton të gjithë qytetarët për bllokimin e lëvizjes së automjeteve nga vendi i quajtur “Lëndina e Lotëve”, “Pallati i Sportit”, Qendra e Trajtimit të Studentëve, drejt Unazës së Stadiumit si edhe në rrugën “Niko Kovaçi” (rruga e dritave të verdha) duke filluar nga e mërkura.

 

Të gjithë pjesëmarrësit e organizatorët kanë marrë masa për lejimin e parkimit, pranë kompleksit sportiv, në afërsi të Stadiumit, gjithashtu do të lejohet hyrja në unazën lindore dhe veriore të Stadiumit, vetëm për automjete apo subjekte të vecanta që janë të autorizuar nga organizatorët e këtij eventi.

 

Këshillohen të gjithë drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e shtuara me mjet përgjatë këtyre ditëve, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke kufizuar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, me qëllim shmangien e ngjarjeve të mundshme rrugore.

 

Gjithashtu shërbimet e Rendit, do të kujdesen për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e objekteve me rëndësi të veçantë si: Nënstacionet Elektrike, Ujësjellësi, etj për të forcuar masat e ruajtjes së tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *