Fermerët kundër grumbulluesve, ankohen se i marrin prodhimet e tyre me çmime nën kosto
Fermerët e serave të bashkive Dimal dhe Rroskovec janë mbledhur këtë të enjte në një protestë kundër pikave të grumbullimit, të cilat sipas tyre po ua marrin prodhimin me çmime nën kosto.
Të revoltuar nga situata, fermerët pohojnë se vijnë nga një sezon i vështirë përmbytjesh ku nuk kanë përfituar asnjë dëmshpërblim ndërsa përballë situatës aktuale të ćmimeve të ulëta kërkojnë njëzëri ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit për të rregulluar tregun
“Nëse vazhdon kështu, do të bojkotojmë prodhimin, do të mbyllim serat dhe do të marrim rrugën e emigracionit”, tha një fermer.
Sipas tyre, janë 500 ha të kultivuara me prodhime të stinës të cilat shkojnë kryesisht për eksport që mbajnë gjallë ekonominë e fermerëve protestues.
Fermerët paralajmërojnë se kjo është vetëm një fazë e parë e reagimit të tyre dhe, në mungesë të zgjidhjes, protestat do të përshkallëzohen në ditët në vijim./vizionplus.tv




