Këtë të mërkurë nisi faza e fundit e raundit të parë të regjistrimeve për të gjithë maturantët që kanë aplikuar në universitete.
Sipas të dhënave të rrjetit akademik shqiptar, deri tani janë regjistruar 75% e maturantëve, ndërsa disa degë kanë mbetur pa kuota të lira.
Në këtë fazë nuk ekziston më opsioni i “ngjyrës së verdhë”, që do të thotë se çdo maturant që fiton një degë, do t’i shfaqet menjëherë ngjyra jeshile dhe regjistrimi duhet të bëhet brenda 48 orëve.
Përfundimi i kësaj faze do t’i hapë rrugë periudhës së çregjistrimit, që do të zhvillohet më 12 dhe 13 shtator.
Përzgjedhja e 10 preferencave me të cilat maturanti do të konkurrojë në raundin e dytë, do të zhvillohet më 20 deri 22 shtator.
Maturantët nuk do të kenë nevojë të kryejnë pagesa të reja, pasi do të përdoret i njëjti kod aplikimi.
Ky raund zhvillohet tërësisht i pavarur nga raundi i parë. Maturantët do të konkurrojnë me lista të reja, por nuk do të kenë mundësi të zgjedhin degët ku kuotat janë tashmë të plotësuara.
/vizionplus.tv





