Vendimet e padrejta të gjykatave, të cilat lënë në burg ose arrest shtëpie qytetarët i kanë kushtuar deri tani 5.4 milion dollarë taksapaguesve shqiptarë. Ministria e Financave ka paguar këtë shumë, por fondi për burgun e padrejtë është më i madh dhe arrin vlerën e 8.7 milion dollarëve. Që prej vitit 2008 dhe deri tani Gjykatat në Shqipëri kanë dhënë 690 vendime, të cilat kanë dënuar me burg dhe arrest shtëpie, persona të ndryshëm në mënyrë të padrejtë. Mesatarisht çdo vit, buxheti i shtetit paguan afro 80 vendime të tilla, të cilat kanë arritur shifrën më të madhe në 2008-ën. Por edhe viti 2016-të nuk mbetet mbrapa, pasi pa mbaruar ende 2 muajt e parë të vitit, janë depozituar 20 kërkesa për marrjen e dëmshpërblimit. Një nga rastet më tipike të përfitimit të parave është çështja “Delijorgji”, ku biznesmeni i akuzuar afera ne çështjen e Gërdecit me një vendim të Gjykatës të Shkalles se Parë vuajti disa vite dënimin me burg, e më pas Strasburgu i njohu të drejtën e dëmshpërblimit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila uli masën e dënimit. Një tjetër rast i ngjashëm është edhe i ish-guvernatorit Ardian Fullani, ku vendimi i Gjykatës së Apelit e shpalli të pafajshëm. Fullanit i lind e drejta të kërkojë dëmshpërblim për kohën e shpenzuar në burg dhe arrestin e shtëpisë, por ish-kreu i Bankës Qendrore përmes një padie në Gjykatën Administrative ka kërkuar vetëm pagat si guvernator dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, të cilat kapin vlerën e 370 mijë dollarëve. Për një ditë heqje lirie në formën e paraburgimit, kompensimi është 3000 lekë, burgu ka dëmshpërblim në vlerën e 2000 lekëve, ndërsa arresti i shtëpisë kompensohet me 1000 lekë.