Subscribe

Është vetëm një nga strategjitë që Fatmir Xhafaj, kushtëzuar nga rregullat që i detyron pandemia, përveç takimeve fizike, të qëndrojë në komunikim të vazhdueshëm me zgjedhësit. Çdo ditë në zyrën e tij, kryen me qindra telefonata për t’i shpjeguar veçmas socialistit të zhgënjyer domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në zgjedhje.

FATMIR XHAFAJ

KANDIDAT PER DEPUTET PS

“Kur unë filloj të flas, të gjithë te mua kanë një gjë të përbashkët: Ok, ok, lëri këto, por a do të shkojë deri në fund reforma në drejtësi? Jam i surprizuar sepse nuk e prisja që njerëzit të arrinin ta bënin këtë dallim, që është dallim thelbësor. Dhe kjo është shenjë pjekurie. Por, nga ana tjetër, është edhe një sinjal i fortë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie për ne që jemi të angazhuar në këtë betejë dhe për të gjithë ata që mendojnë se që ky vend të bëhet, ka të domosdoshëm reformimin e drejtësisë, çuarjen deri në fund të këtij projekti kaq të rëndësishëm.”

25 Prilli është një datë që do të përcaktojë të ardhmen politike të Fatmir Xhafaj. Si në asnjë proces tjetër zgjedhor, karrigia e deputetit, për njeriun kyç të reformës në drejtësi, ish-ministër i Drejtësisë dhe i Brendshëm është e varur drejpërdrejt nga numri i votave që do të grumbullojë. I renditur i 23-ti përtej objektivit të socialistëve për qarkun e Tiranës, për 20 mandate, Fatmir Xhafaj duhet të marrë mbështetjen e 10 mijë zgjedhësve.

FATMIR XHAFAJ

KANDIDAT PER DEPUTET PS

“Vota për PS ka qenë dhe mbetet fokusi im kryesor. Pozicioni në listë mua më obligon pak më shumë se të tjerët që të luftoj për të siguruar votat e nevojshme për t’u përfshirë në listën fituese. Edhe këtë e kam shfrytëzuar për të shtuar vota për PS. Jam fokusuar te ata që janë të pakënaqur dhe që duke pëlqyer emrin tim, kandidaturën time, duke vlerësuar atë çfarë kam bërë unë, mund të jetë një arsye për të mos hezituar. U jam drejtuar edhe socialistëve, jam i fokusuar te grupet që kanë një lidhje më të drejtpërdrejtë me mua, për shkak të moshës, vendeve ku ka shërbyer.”

Shqetësimi në orët e fundit të fushatës elektorale është rritur, për sigurimin e votave të nevojshme që Fatmir Xhafaj t’i jap mandatin e pestë të deputetit.

FATMIR XHAFAJ

KANDIDAT PER DEPUTET PS

“Nuk e fsheh që s’jam, por e shoh si një përgjegjësi timen politike dhe kam bindjen se do të ketë një rezultat pozitiv.”

Për Partinë Socialiste, numri 23 në listën e kandidatëve për deputetë të qarkut të Tiranës do të jetë lajmësi i mirë ose jo. Njësia dhjetë për arsye se aty do të votohet dhe numërohet elektronikisht, do të jetë e para që në mëngjesin e të Hënës së 26 Prillit, do të shpallë rezultatin duke treguar pjesërisht tendencën e votës së shqiptarëve.

“I gjithë votimi nuk është ndonjë gjë e mahde, për dikë është 4 sekonda, për dikë 4 minuta. Por në fakt, janë 4 vjet jetë. Nëse ti zgjedh një njeri që e percepton si të korruptuar, duhet ta mendosh xhepin tënd për 4 vjet pak më bosh. Nëse zgjedh një njeri luftëtar për kauzat e tua, do të mendosh që do të kesh edhe një ekip qeverisës, edhe një ekip përfaqësuesish që do t’i japin rrugë shpresës, besimit, ëndrrës tënde.”

 

Intervista e plotë e dhënë për gazetaren e “Vizion Plus”, Enkelejda Mema:

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *