Subscribe

Policia e Shtetit arrestoi 39 persona në disa qytete të vendit, ndërsa shpalli 12 të tjerë në kërkim ne kuadër te nje superoperacioni i cili goditi njëkohësisht 7 grupe kriminale. Te prangosurit ishin përfshirë në trafikimin e të paktën 1 mijë personave nga Shqipëria drejt Shteteve te Bashkuara, Kanadasë e Anglisë nëpërmjet vizave e pasaportave false.

 

Operacioni u drejtua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndërsa u mbështet nga agjencitë ligjzbatuese të Departamentit të Shtetit Amerikan dhe ato të Bashkimit Evropian.

 

Në një dalje për mediat, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dha detaje mbi mënyrën se si grupet kishin ngritur linjën e trafikut. Për çdo person paguhej nga 7 mijë paund për në Angli, si dhe 30 mijë dollarë për në Shtete e bashkuara dhe Kanada.

 

Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale përmes veprimeve aktive ndihmonin shtetasit shqiptarë të interesuar për të emigruar në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të mësipërme, duke falsifikuar dokumente udhëtimi dhe identiteti të vendeve të BE-së.

Ata përdornin itineraret:

  • Shqipëri – Itali – Mbretëri e Bashkuar
  • Shqipëri – Francë – Mbretëri e Bashkuar
  • Shqipëri – Bullgari – Belgjikë – Republika Domenikane – SHBA / Kanada
  • Shqipëri – Spanjë – Amerika Latine – SHBA/Kanada

 

Mes të ndaluarve ka dhe punonjës policie te cilët ishin te përfshire ne grupet kriminale.

 

Gjithashtu janë arrestuar edhe 4 punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë kontrollorë në Pikat e Kalimit Kufitar, Hani i Hotit dhe Qafë Thanë, të cilët kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer regjistrimin e shtetasve të kontrabanduar në pikat e kalimit kufitar, në kundërshtim me ligjin.

 

Përveç të arrestuarve në Shqipëri dy prej të shpallurve në kërkim mendohet se janë larguar jashtë vendit ndërsa gjatë kontrolleve janë gjetur me dhjetëra pajisje të cilat shërbenin për falsifikimin e dokumenteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *