Mbrëmjen e djeshme, mbreti Frederik dhe mbretëresha Mary e Danimarkës organizuan një darkë solemne në pallatin Amalienborg të Kopenhagës, në nder të 50 krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Komunitetit Politik Europian.
Liderët europianë ndodhen në kryeqytetin danez për samitin e 7-të të Komunitetit Politik Europian, ku fokusi kryesor është mbështetja për Ukrainën, siguria e Europës dhe roli i saj në një skenë gjeopolitike gjithnjë e më të ndërlikuar.

Në darkë morën pjesë personalitete të larta si presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe shumë të tjerë, mes tyre edhe princi Albert i Monakos.
Sipas mediave daneze, darka u konsiderua një “darkë pune” me kod veshjeje formale.

Mbreti Frederik zgjodhi një kostum klasik, ndërsa mbretëresha Mary u shfaq me një veshje elegante ngjyrë krem me xhaketë të zezë.
Shumë prej lidereve femra ndoqën të njëjtën linjë, si Ursula von der Leyen dhe Giorgia Meloni që preferuan ngjyra neutrale.

Në fjalën e tij, mbreti Frederik dha mesazhin e unitetit: “Si europianë, mbajmë në duar një pjesë të jetës së njëri-tjetrit. Kemi detyrimin ta mbajmë këtë përgjegjësi me kujdes, për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë. Bota po ndryshon, siguria dhe vlerat e Europës janë nën presion. Askush prej nesh nuk mund t’i përballojë vetëm këto sfida”.
Menuja e darkës përfshinte merluc të Groenlandës, gaforre, mish pule, ‘marshmallow’ nga bregu perëndimor i Danimarkës, kërpudha, kroketë me mish qengji të gatuar ngadalë. Në fund të darkës, liderëve iu servir një ëmbëlsirë me çokollatë, frutash të thata, komposto molle dhe karamel.







