Liderët e Bashkimit Evropian po shqyrtojnë mundësitë për të reduktuar varësinë nga importet ruse të energjisë. Por kjo do të marrë kohë, në kushtet kur kontinenti i vjetër siguron 60% të nevojave nga Moska.

 

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol shprehet se Evropa duhet të marrë masa urgjente për të siguruar energji për dimrin e ardhshëm.

 

“Nuk po përjetojmë kushte normale, por një gjendje të jashtëzakonshme. Arsyeja për këtë është se vendi që pushtoi Ukrainën, Rusia, është eksportuesi më i madh në botë i naftës dhe gazit natyror. Europa është më e ekspozuar ndaj kësaj krize pasi importon sasi të konsiderueshme gazi natyror dhe nafte nga Rusia, dhe i përdor për ngrohje dhe prodhimin e energjisë elektrike. Rezervat tashmë janë shumë të ulëta. Evropa do të duhet të marrë masa urgjente deri në dimrin e ardhshëm në mënyrë që të reduktojë sa më shumë varësinë e saj nga energjia ruse.”

 

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, vlerëson se çmimet do të vijojnë të mbeten të larta për një periudhë të konsiderueshme kohore.

 

“Unë besoj se energjia që vjen nga Mesdheu Lindor, Kaspiku apo Deti i Veriut është diçka që do t’i ndihmojë tregjet. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se aktualisht janë duke u zhvilluar tre kriza paralele: kriza humanitare në Ukrainë, një krizë energjetike në ekonominë globale dhe kriza klimatike. Çmimet nuk kanë gjasa të bëjnë një kthim të shpejtë në nivelet e 2019-s. Dy gjëra duhet t’i paraprijnë: së pari, një rritje e konsiderueshme e prodhimit të energjisë nga SHBA, Katari, Australia, ndoshta pak nga Norvegjia dhe Algjeria; së dyti, një ulje e kërkesës si përgjigje ndaj çmimeve të larta.”

 

Ndërkohë, sipas Birol, reputacioni i Rusisë si një partner energjetik është komprometuar, dhe kjo do të dëmtojë partnerët e klientët e saj, shumë vite në vijim.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *