Pas takimit mes kreut të Kremlinit, Vladimir Putin, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, ka ardhur edhe reagimi i Europës.
Në një deklaratë të përbashkët të Presidentit francez Macron, Kryeministres së Italisë Meloni, Kancelarit gjerman Merz, Kryeministrit britanik Starmer, Presidentit finlandez Stubb, Kryeministrit të Polonisë Tusk, Presidentit të Këshillit Evropian Costa dhe asaj të Komisionit, von der Leyen, thuhet se udhëheqësit janë informuar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë në lidhje me bisedimet.
Sipas tyre, hapi i radhës duhet të jetë një takim ku i pranishëm të jetë edhe Zelensky.
“Presidenti Trump na informoi ne dhe Presidentin Zelensky pas takimit të tij me Presidentin rus në Alaska. Udhëheqësit mirëpritën përpjekjet e Presidentit Trump për të ndaluar vrasjet në Ukrainë, për t’i dhënë fund luftës agresioniste të Rusisë dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Siç tha Presidenti Trump: ‘Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje’. Siç e parashikoi Presidenti Trump, hapi tjetër tani duhet të jenë bisedime të mëtejshme, përfshirë Presidentin Zelensky, të cilin ai do ta takojë së shpejti.”
Liderët e unionit shprehen gatishmërinë e tyre për të punuar për një samit trepalësh, ndërsa theksuan rëndësinë e sovranitetit të Ukrainës.
“Ne jemi gjithashtu të gatshëm të punojmë me Presidentin Trump dhe Presidentin Zelensky drejt një samiti trepalësh me mbështetjen evropiane. Ne jemi të qartë se Ukraina duhet të ketë garanci të forta sigurie për të mbrojtur në mënyrë efektive sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
Ne mirëpresim deklaratën e Presidentit Trump se SHBA-të janë të gatshme të japin garanci sigurie. Nuk duhet të vendosen kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës. Rusia nuk mund të ketë veto kundër rrugës së Ukrainës drejt BE-së dhe NATO-s. Do të jetë në dorë të Ukrainës të marrë vendime në territorin e saj. Kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë.”
Në fund të deklaratës thuhet se presioni ndaj Rusisë nuk do të ndalet për sa kohë vijojnë vrasjet në Ukrainë.
/vizionplus.tv





