Estonia mbyll kufirin me Rusinë nga 1 dhjetori, masa e sigurisë do të zgjasë të paktën 6 muaj

Estonia do të mbyllë të gjitha pikat e kalimit kufitar me Rusinë nga 1 dhjetori, për arsye sigurie. Vendimi do të jetë në fuqi për gjashtë muaj, pas së cilëve qeveria estoneze do të shqyrtojë nëse do ta zgjasë më tej këtë masë.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, deklaroi se mbyllja nuk është reagim ndaj një incidenti të vetëm, por pjesë e masave kundër rritjes së akteve të sabotimit dhe operacioneve hibride në Evropë, pas agresionit rus ndaj Ukrainës.
Vendimi vjen pasi Estonia akuzoi shërbimet ruse të sigurisë për një tentativë zjarrvënieje ndaj një kompanie estoneze të mbrojtjes. Sipas autoriteteve në Talin, ky ishte rasti i dytë i këtij lloji gjatë këtij viti.
Nga ana tjetër, Kremlini i ka mohuar akuzat. Zëdhënësi Dmitry Peskov i cilësoi ato si pretendime të pavërteta që, sipas tij, vendet evropiane po i drejtojnë vazhdimisht kundër Moskës.
Estonia, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe një prej mbështetëseve të forta të Ukrainës, ka aktualisht pesë pika kufitare përmes të cilave udhëtarët mund të hyjnë ose të dalin nga Rusia.



