Nesër, më 12 prill, do të çelë fushatën Partia Socialiste në orën 12:00 në Sheshin Skënderbej. Kjo datë është zgjedhur për shkak të simbolikës së 12 yjeve në flamurin e BE-së, pasi në fokus të fushatës së PS është “Shqipëria 2030 drejt BE”.
Ndërkohë sot, Partia Socialiste zhvilloi një takim me gratë socialiste duke vlerësuar rolin e tyre në politikë.
Kryesocialisti Edi Rama, në fjalën e tij tha se nuk është aq larg dita kur Shqipëria do të ketë gruan e parë kryeministre, teksa u shpreh i bindur se do të jetë socialiste.
Rama shtoi se kur PS erdhi në pushtet, gratë dhe vajzat në polici ishin më pak se 5%, teksa sot janë trefishuar.
“Do ta çojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian, mbi kënetën ku e kanë zhytur. Sot, Kuvendi i Shqipërisë drejtohet nga një grua socialiste. Nuk është aq larg dita kur Shqipëria do të ketë gruan e parë kryeministre dhe nuk dyshoj fare që ajo do të jetë socialiste. Kjo është një risi absolute për vendin tonë.
Sot, gratë dhe vajzat janë më shumë se gjysma. Por, unë jam vërtet i impresionuar nga një tjetër fakt, numri i grave sipërmarrëse ka arritur në 30%. Kur ne kemi ardhur në detyrë, gratë dhe vajzat në polici ishin më pak se 5%; sot janë trefishuar. Kontributin e tyre ua kemi parë hajrin dhe publiku e ka pritur shumë mirë. Në Forcat e Armatosura, nga 10.5% që ishin, sot janë mbi 20%.
Mbështetja e grave dhe vajzave për idenë e mbylljes së TikTok ishte pothuajse 100%, e burrave jo dhe aq. Ndotësit më të mëdhenj të gjithë debatit politik dhe mediatik i përkasin botës mashkullore. Sa më shumë shoqëria jonë ta pranojë dhe ta mbështesë potencialin e grave dhe vajzave, aq më mirë është edhe për burrat.
Partia Socialiste ka një rëndësi të posaçme për të adresuar problemet ende jo të pakta të grave dhe vajzave në vendin tonë. Ne nuk e kemi harruar asnjëherë, asnjë minutë, se njerëzit janë arsyeja madhore e qeverisjes sonë. Dhe në këtë, PS-në e ndihmojnë gratë dhe vajzat”, tha Rama.
Kryesocialisti renditi arritjet e Partisë Socialiste, teksa nënvizoi se janë shtuar mësuesit ndihmës nëpër shkolla, tekstet janë shpërndarë falas, ndërtimi i klasave në pediatri, rindërtimin e materniteteve si dhe dhënien e bursave për personat nga komuniteti rom.
“Kur ne kemi marrë detyrën, nuk kishte asnjë mësues ndihmës për fëmijët autikë. Nënat nuk merrnin asnjë ndihmë, përkundrazi, duhet të ndërprisnin punën, karrierën dhe të bënin një luftë të vërtetë për të rritur këta fëmijë. Sot nuk ka asnjë shkollë në Shqipëri që ka fëmijë me çrregullime të spektrit autik dhe nuk ka të paktën një mësues ndihmës. Kemi filluar ndërtimin e klasave të veçanta për fëmijët e shtruar në pediatri, klasa me kurrikul të përshtatur, që u krijojnë hapësirë për krijimtari artistike, ndjesinë se janë të mbështetur nga shoqëria dhe, njëkohësisht, mundësinë që të mos mbeten pas me mësimet.
Ne kemi jo vetëm sfidat tona, por edhe horizontin e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Sot kemi gjashtë maternitetet tërësisht europiane. Është rritur numri i grave të punësuara. Kemi disa vite që i japim tekstet shkollore falas. Më parë, të gjitha familjet detyroheshin t’i blinin librat që kushtonin shumë. Deri më tani, kemi paguar 88 milionë euro për t’u siguruar që nxënësit të marrin librat pa pagesë.
Për herë të parë, ky shtet jep bursa për personat që vijnë nga komuniteti rom. Jam shumë krenar që kemi kandidaturën e parë rome, një vajzë e shkëlqyer, Ina Mjko nga Delvina”, u shpreh kryesocialisti.
/vizionplus.tv





