Ermal Meta, koncert në “Air Albania”: Krenar qe jam urë lidhëse mes dy vendeve

Këngëtari shqiptar me famë botërore, Ermal Meta rikthehet për herë të tretë në skenën shqiptare. Stadiumi “Air Albania” do hapë dyert për të mirëpritur të gjithë dashamirësit e muzikës. Ky koncert vjen me rastin e 30-vjetorit të eksodit të shqiptarëve në Itali. Ermal Meta i konsideruar si një nga ambasadorët e prezantimit të Shqipërisë në botë, e ndjen veten të privilegjuar që është ura lidhëse mes dy vendeve.
ERMAL META – KENGETAR
“Është hera e parë për mua që bëj një koncert në stadium dhe do jap gjithë energjinë time. E ndjej veten si një farë ure, që lidh dy kulturat. Gjëja më e rëndësishme që mund të ketë një person është liria për të ardhmen, ndaj i jam mirënjohës zotit për këtë fat, për faktin që kam lindur në këtë vend, sepse kur je poshtë e ke mundësinë të ngresh kokën e të shohësh lart.”
Reklamë
Artisti u mirëprit nga kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili shprehet i lumtur jo vetëm për bashkëpunimin e gjatë me Italinë, por edhe krenar për arritjet e Ermal Metës.
ERION VELIAJ – KRYETAR I BASHKISE TIRANE
“Këto 30 vite raportesh me Italinë ka qenë raporti më i bukur i miqësisë. Ne nuk i zgjedhim fqinjët, po nëse do i zgjidhnim s’do gjenim më të mirë. Jam shumë i kënaqur që bashkë me ambasadorin italian, do bëjmë në stadium ku luhet futboll të luajmë muzikë. Ne do të hapim dyert e stadiumit duke respektuar masat anticovid, duke dhënë dhe mesazhin, që jo vetëm Tirana është hapur, por dhe të kujtojmë 30-vjetorin e eksodit në Itali”.
Koncerti do të mbahet të premten në orën 19:00 dhe hyrja është e lirë.




