Kryetari i PD, Sali Berisha, doli para medias për të akuzuar kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, se është larguar nga Shqipëria për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë. Berisha pretendon se Veliaj ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës herët në mëngjes.
“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur”, tha Berisha.
Lexo edhe :
Related Posts
Kryetari i PD pretendon se ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës qëllimisht nuk është vendosur asnjë masë sigurie, në mënyrë që Erion Veliaj të largohej nga vendi.
“Erion Veliajt i pyetur disa herë, i akuzuar me akuza që shkojnë nga 20 gjer në 35 vite burg, as nuk iu hoq pasaporta, as nuk u lëshua urdhër-arresti, me qëllimin e vetëm që ai të largohej për të mos kompromentuar, për të mos u treguar shqiptarëve përmasat e vjedhjes së Edi Ramës dhe klanit të tij. Kërkoj dhe njëherë rikthimin me urgjencë të Erion Veliajt ose dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës”, tha Berisha.
Sipas Berishës, largimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës i shërben fshehjes së të vërtetës për disa çështje më të bujshme./vizionplus.tv






