E diel, 4 Tetor 2026 Safir deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Eat And Traditë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Erion Veliaj i adresoi shtatë pyetje, Altin Dumani “i prerë”: Nuk u përgjigjemi të pandehurve

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar më 10 shkurt 2025 me urdhër të SPAK, ditën e djeshme në një reagim publik i adresoi 7 pyetje Prokurorisë së Posaçme, për të cilat tha se shpreson të marrë përgjigje.

Veliaj kërkon të dijë nga SPAK kush është realisht Nesti Angoni. Përse zonjat që ishin caktuar si gjyqtare për masën e tij mendore u sëmurën menjëherë? A ka konflikt interesi me një prokuror që kritikonte pakënaqësitë nga bashkia? Pse i ndalohej takimi me avokatët e huaj, duke cenuar të drejtën për mbrojtje ligjore?

Reklamë

Ditën e sotme, në një takim me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani tha se institucioni që ai drejton nuk i përgjigjet të pandehurve dhe reagojnë vetëm në rrugë ligjore.

Dumani: Nuk u përgjigjemi të pandehurve. Ne reagojmë vetëm në rrugë ligjore, kur ka pretendime dhe kur paraqiten memo nga avokatët. Kjo është forma procedurale. Dosja “Veliaj” është ndarë edhe në një fraksion tjetër dhe po hetohen disa fakte penale.

Kreu i SPAK tha gjithashtu se nëse politika vendos të bëjë ndryshime apo mendon se SPAK nuk është më i nevojshëm, është një çështje që i takon politikës. Megjithatë, Dumani theksoi se Prokuroria e Posaçme është kthyer në institcionin më të besuar të qytetarëve në këto 5 vite punë.

Dumani: Nëse politika vendos të bëjë ndryshime, apo që SPAK nuk është më i nevojshëm, apo të rishikojë pavarësinë tonë, kjo është një çështje që i takon politikës. SPAK u krijua edhe si rezultat i vullnetit të partnerëve ndërkombëtarë. Është institucioni më i besuar. Kemi ndërtuar këtë besim përmes 5 viteve e 8 muajve punë.

Shtatë pyetjet e plota të kryebashkiakut Erion Veliaj për SPAK

1. Kush është Nesti Angoni dhe për sa politikanë me letra anonime është bërë ky vetting 20-vjeçar, si në rastin tim? A po përdoret ky hetim dhe persekutim mbi mua si një “eleminim politik”, për t’u kthyer në standard të ri për këdo që shënjestrohet?

2. Pse të gjitha gjyqtaret e zonja, të cilave u bie shorti për masën time në GJKKO, papritmas sëmuren dhe dorëhiqen? A ka koordinim prokurori-gjykatë për organizimin e këtij sulmi ndaj kryetarit të zgjedhur të bashkisë?

3. Pse nuk u hetua kurrë denigrimi mediatik nëpërmjet nxjerrjes së gjithë sekreteve hetimore në portalet pranë SPAK, ku dalloheshin qartësisht formatet dokumentare të prokurorëve, dhe jo ato që u jepen avokatëve? Kjo shkelje e rëndë e ligjit nuk mund të ndodhë pa dijeninë dhe aprovimin e SPAK.

4. A ka konflikt interesi kur njëri nga prokurorët ka shprehur haptazi një pakënaqësi për një leje ndërtimi që ka marrë nga bashkia? Në një shoqëri demokratike, a nuk duhet që çdo i pandehur të ketë të drejtën për një prokuror pa konflikt interesi?

5. Pse më ndalohen takimet me avokatët e mi ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen time për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, edhe pse Konventa Europiane – ku Shqipëria është palë – garanton qartë të drejtën themelore për t’u mbrojtur dhe zgjedhur lirisht përfaqësim ligjor?

6. A u hetua ndonjëherë dhuna 1-vjeçare, me molotovë e zjarr, përpara Bashkisë së Tiranës, e kryer nga individë të maskuar që, sipas raportimeve, transportoheshin nga rrethe të tjera? Kush e koordinoi dhunën që të përkonte me vetting-un tim të paligjshëm? Kush e financoi për 45 javë?

7. Nëse hetimi ka përfunduar, përse vazhdoj të mbahem në paraburgim – larg familjes sime dhe qytetit, të cilit i shërbej? A do të kishte kuptim që unë – Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës – të arratisesha, kur kam lidhje kaq të ngushta familjare, politike dhe shoqërore në Tiranë dhe jam kthyer disa herë në Shqipëri nga jashtë vendit, duke e ditur se kam qenë objekt i këtij hetimi penal? A ka vërtet kuptim që, si Kryetar Bashkie në mandatin e tretë, të kryeja vepra të rënda penale, duke qenë në liri me kusht dhe duke e ditur se jam nën një vëzhgim dhe kontroll të paprecedentë? Unë kam pasur një të shkuar të pastër deri në këtë persekutim, dhe aktualisht gëzoj besimin dhe mbështetjen dërrmuese të shumicës së qytetarëve të Tiranës – pra, a nuk është thjesht e çuditshme të mendohet se do të kryeja vepra të tjera penale? Në fakt, kur pata mundësinë t’u shërbeja qytetarëve të Tiranës, qyteti u transformua rrënjësisht.

Erion Veliaj u mor i pandehur nga SPAK më 24 korrik. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurisë dhe futje e sendeve në burg./vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë