Subscribe

Turqia sfidon BE-në duke i treguar se, anëtarësimin nuk e kërkon me çdo kusht. Madje, sipas presidentit Rexhep Tayip Erdogan, Ankaraja do të ishte më e qetë nëse BE-ja deklaron se nuk do ta pranojë në radhët e saj.



Ne i jemi besnikë botës sonë, nëse Brukseli papritur thotë ‘Nuk iu pranojmë dot’, do të jetë lehtësim për në, sepse atëherë do të nisim planin tonë B, apo edhe C. Bashkimi Europian nuk është domosdoshmëri për Turqinë. Shumica e popullit turk nuk e dëshiron më këtë anëtarësim. Ne jemi shumë të qetë”, -është shprehur Presidenti Erdogan.

 

Gjatë bisedës me Zeinab Badawi, në emisionin “HARDtalk”,presidenti turk mohoi gjithashtu burgosjen e 150 gazetarëve, duke këmbëngulur se prapa hekurave në Turqi ka vetëm dy persona me kartëvizita  gazetari.

 

Pretendimet e tij vijnë në kohën kur Ankaraja e zgjati burgimin e drejtoreshës lokale të “Amnesty International” dhe 9 personave të tjerë. Idil Eser u ndalua më 5 korrik, së bashku me 7 aktivistë të të drejtave të njeriut dhe dy trajnues të huaj, nën akuzën e pjesëmarrjes në një “organizatë të armatosur terroriste”.

 

Kambanat e alarmit ranë pas këtyre arrestimeve në komunitetin ndërkombëtar, duke shtuar frikën se liria e fjalës po shtypet në Turqinë e presidentit Erdogan. Ky shqetësim ka ndikuar edhe mbi përpjekjet e vendit për t’u bërë pjesë e BE-së, të cilën kreu i shtetit turk e akuzon se po i humbet kohën kot vendit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *