E enjte, 1 Tetor 2026 Film TV deri në 22:30 Në vijim ora 22:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

EMRI/ Tentoi të digjte automjetin e policisë dhe bëri thirrje për dhunë, në pranga 24-vjeçari

24 vjeçari, Devis  Faruku është arrestuar nga Policia e Shtetit këtë të enjte.

Sipas njoftimit zyrtar, i riu ka tentuar të djegë një automjet të policisë dhe ka bërë thirrje për dhunë, duke e promovuar aktin e tij në rrjetin social Tik Tok.

Reklamë

Njoftimi:

Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, gjatë monitorimeve të rrjeteve sociale, konstatuan postime të publikuara nga një adresë false në rrjetin social TikTok, ku një shtetas bënte thirrje për akte dhune.

Menjëherë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit nisi punën për identifikimin e autorit të këtyre postimeve.

Falë bashkëpunimit të ngushtë me platformat e rrjeteve sociale dhe veprimeve të specializuara hetimore, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike u bë i mundur identifikimi i autorit të materialeve të dhunshme, duke mundësuar ndërhyrjen e menjëhershme për të parandaluar ngjarjen e mundshme.

Në bashkëpunim me Njësinë Rajonale Antiterrorizëm Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës (Stacioni i Policisë Manzë), u kap dhe u shoqërua shtetasi D. F., 24 vjeç, banues në lagjen Perimore, Sukth, Durrës, i cili në përfundim të veprimeve u ndalua për veprat penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Në një prej videove, ky shtetas u bënte thirrje qytetarëve që të shikonin dhe të ndiqnin momentin e djegies së një makine të Policisë së Shtetit, duke promovuar publikisht një akt të rëndë dhune dhe duke tentuar të nxisë reagime të rrezikshme në publik.

Ndërkohë, Drejtoria e Antiterrorit po ndjek çështjen në vijimësi, duke ndjekur procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë dhe duke vlerësuar ndikimin dhe rrezikshmërinë e mesazheve të shpërndara në rrjet.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në parandalimin e përhapjes së përmbajtjeve të dhunshme dhe në mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të ngjashëm, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe ndjekje ligjore ndaj çdo akti që cenon sigurinë dhe rendin publik.

Vazhdo të lexosh

Reklamë