Vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, në kuadër të të cilit është finalizuar ekstradimi nga Spanja drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Juxhin Koka., 31 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ekstradimi u realizua falë koordinimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Madridit.
Juxhin Koka akuzohet nga SPAK se në shkurt të vitit 2025, ka korruptuar punonjës të Policisë dhe, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vjedhur rreth 200 mijë litra naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit.
Për këtë rast, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale:
“Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, dhe “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Operacioni “The Wanted” vijon në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese ndërkombëtare për lokalizimin dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë të kërkuar për vepra të rënda penale.
/vizionplus.tv





