Një tender prej 1 milionë eurosh është bërë shkak që administratori i një kompanie private dhe familjarë të tij të kërcënohen me jetë nga 3 persona.
Erald Myftari, administratori i kompanisë që fitoi tenderin nga Bashkia e Tiranës, u kërcënua nga Shaqir Alçani, 62 vjeç dhe i biri i tij, Algert Alçani, 27 vjeç si dhe Edmir Boçi, 37 vjeç. Si pasojë, të tre ranë në prangat e policisë për “Kanosje me dhunë për dhënie të pasurisë”, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Bëhet fjalë për një tender për përpunimin dhe furnizimin me lëndë drusore, ku administratorit me origjinë nga Cërriku, i është kërkuar nga 3 personat e mësipërm, që të tërhiqet nga procedurat e konkurrimit.
Sipas burimeve të policisë, Shaqir Alçani zotëron një kompani për lëndë drusore, që kryen pikërisht të njëjtin shërbim si kompania e administratorit Myftari, i cili fitoi tenderin, ndaj mendohet se kjo ka shërbyer si arsye për të kërcënuar këtë të fundit.
Burimet konfirmojnë se 27-vjeçari Algert Alçani është punonjës i bashkisë së Tiranës. Operacioni i koduar “Tenderi” u zhvillua nga blutë e kryeqytetit dhe policia e Elbasanit.





