Pas konkursit dhe testimit për herë të parë në rradhët e uniformave blu janë prezantuar këtë të enjte emrat e krerëve të Policive vendore për 12 qarqe.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha bëri publik emrat, ku peshën më të madhe e mbajnë ata të rinj që për herë të parë emërohen në këtë post të lartë.
Elton Allushi do të jenë në krye të policisë së Tiranës. Qarku më i madh i vendit i është besuar Allushit i cili deri më tani ishte shef i Krimeve të Rënda në Vlorë.
Durrësi i është besuar Vilson Balës, një emër që është përfolur më herët për në Tiranë. Bala nesër do të marrë detyrën në qytetin bregdetar ndërkohë që deri tani ka drejtuar Forcat Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme.
Ndërsa në Elbasan është caktuar Fatmir Hoxha.
“Drejtoria e Përgjithshme dhe drejtuesit e rinj duhet t’u kushtojnë një vëmendje të veçantë projekteve inovative, të cilat na ndihmojnë tejmase për të kontrolluar territorin, mbikëqyrur trafikun, parandaluar dhe goditur kriminalitetin. Le të jemi më të qartë dhe të vetëdijshëm se lufta kundër kriminalitetin, kërkon jo vetëm përballje frontale me çdo fenomen dhe element kriminal, por edhe një vullnet të palëkundur për vetëpastrim në radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element i prekur prej virusit të krimit apo të korrupsionit”, tha ministri Hoxha.
Një nga qarqet më problematike si Shkodra do të drejtohet nga Fatmir Lleshaj. Për këtë të fundit sfida me detyrën e re lidhet me zbardhjen e masakrës në Dobraç.
“Drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit do të sigurojnë praninë e strukturave të rendit në çdo cep të Shqipërisë, forcimin dhe lidhjen me qytetarët e me komunitetet dhe reagimin e shpejtë ndaj ngjarjeve kriminale, të mëdha a të vogla. Për shembull një nga ngjarjet si ajo e javëve të shkuara në Shkodër, duhet zbardhur plotësisht dhe autorët duhet të shkojnë prapa hekurave sa më shpejt”, tha Hoxha.
Ndërkohë që në ditët në vijim priten të publikohen edhe emra të rinj për 48 komisariatet e vendit, pozicione për të cilat do të konkurojnë 290 oficerë.
DREJTORËT E RINJ TË POLICISË
Tiranë – Elton Allushi
Durrës – Vilson Bala
Fier – Skender Hitaj
Elbasan – Fatmir Hoxha
Shkoder – Fatmir Lleshaj
Korçë – Erion Ahmeti
Vlorë – Elidon Çela
Lezhë – Altin Mena
Gjirokastër – Altine Merizaj
Berat – Luigj Vathi
Kukës – Gentian Berberi
Dibër- Artion Duka
/vizionplus.tv