Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO, dhe ka miratuar masën “arrest në burg” për Sabah Nuzin, i cili u arrestua në muajin shtator të këtij viti me urdhër të SPAK për vrasjen e Klevis Lleshit.
Sabah Nuzi akuzohet se ekzekutoi 32-vjeçarin Klevis Lleshi kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh.
Vrasja u urdhërua nga Aurel Hoxha, ndërsa ndërmjetësi akuzohet se është Saimir Kolaveri, i cili u arrestua në Itali.
Krimi i rëndë dyshohet se ka ndodhur për gjakmarrje.
Aurel Hoxha, i njohur ndryshe me emrin Aurelinjo Kalaveri, urdhëroi vrasjen e 32-vjeçarit për tu hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2012, nga Arben Lleshi, kushëriri i 22-vjeçarit.
Dy fiset janë përfshirë në një sagë hakmarrjesh, të nisur në vitin 2012, kur Arben Lleshi vrau Agim Hoxhën, vëllain e Aurel Hoxhës, dhe më pas ia dogji trupin në makinë. Një vit më pas, më 30 tetor 2013, u vra Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit. Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i tij, Hajredin Lleshi.
Më pas, në vitin 2020 fisi Hoxha dyshohet se porositi vrasjen e Klevis Lleshit. Pas vrasjes, trupin e tij e zhdukën në fshatit Shpërdhet të Kurbinit, ndërsa eshtrat u gjetën pas rreth 2 vite e gjysmë nga banorë të zonës.
Arben Lleshi po vuante dënimin me burg përjetë në burgun e Peqinit, kur në vitin 2023 u vra nga Sokol Mjacaj. Ai u qëllua me armë brenda në qeli, dhe dyshohet se vrasja ka qenë vazhdë e kësaj hakmarrjeje./vizionplus.tv





