Eris Mehmetaj, i arrestuar dy ditë më parë për vrasjen e rojes 58-vjeçar Renato Hoxha në Vlorë, ka mohuar para policisë të ketë lidhje me ngjarjen kriminale.
Ai ka pranuar se automjeti që është zbuluar përmes kamerave të sigurisë është në pronësi të tij, por ka shtuar se ia kishte lënë për përdorim një miku të tij, pasi ky ia kishte kërkuar, dhe se nuk ka dijeni se për çfarë është përdorur më pas makina.
Pavarësisht kësaj, Eris Mehmetaj është lënë në burg nga Gjykata e Vlorës, i dyshuar për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjes së Renato Hoxhës”.
Nga hetimet e deritanishme, policia dyshon se automjeti mund të jetë çmontuar në ndonjë pikë skrapi ose në servis, ndaj po zhvillohen hetime edhe në këtë drejtim.
Eris Mehmetajt iu sekuestrua celulari, që pritet të zbardhë të dhëna të tjera për vrasjen e Renato Hoxhajt.
Policia gjithashtu, përmes kamerave të sigurisë, ka dhe pamje të autorit, por identiteti i tij ende nuk dihet pasi ai mbante një kapele dhe një maskë.
Ekzekutimi i rojes 58-vjeçar Renato Hoxhaj besohet se është porositur nga një grup kriminal shqiptar me bazë në Dubai.
Gjithashtu dyshohet se 58-vjeçari shërbente si informator i një grupi kriminal, në kohën kur u ekzekutua Gëzim Sinomataj, një vit më parë në Vorë.
/vizionplus.tv





