Ambientet e Pallatit të Kulturës “Dhimitër Orgocka” në Maliq janë kthyer në një dritare të historisë, falë ekspozitës fotografike me imazhe të realizuara nga fotografi grek Christu N. Petru Mesogiti gjatë periudhës së Luftës Italo-Greke, nga nëntori i vitit 1940 deri në mars të vitit 1941.
Fotografitë dokumentojnë ngjarjet e luftës, por edhe jetën e përditshme në fshatrat e zonës së Maliqit, Korçës dhe Pogradecit, duke sjellë për publikun dëshmi autentike të një periudhe të rëndësishme historike.
Sipas Petros Filippou, Mesogiti u plagos gjatë luftës dhe më pas u caktua në administratën e ushtrisë greke. Pikërisht në Korçë ai bleu aparatin fotografik, me të cilin përveç skenave ushtarake, fiksoi edhe jetën në shumë fshatra shqiptare.
“Fotografitë janë bërë gjatë periudhës së Luftës Italo-Greke, nga nëntori i vitit 1940 deri në mars të vitit 1941. Ai u plagos dhe për këtë arsye u vendos në administratën e ushtrisë greke. Aparatin fotografik e bleu në Korçë dhe, përveç ngjarjeve ushtarake, fotografoi shumë fshatra të zonës së Maliqit, mes Korçës dhe Pogradecit. Ai ka lënë edhe shënime për shqiptarët, duke i përshkruar si një popull shumë të zgjuar dhe punëtor. Ky është një hap i rëndësishëm që marrëdhëniet tona të bëhen edhe më të afërta dhe më miqësore”, thotë Petros Filippou.
Edhe drejtoresha e Pallatit të Kulturës “Dhimitër Orgocka”, Dhora Shkëmbi, u shpreh se ekspozita synon të afrojë publikun me historinë përmes fotografisë, duke sjellë materiale të rralla që pasqyrojnë jetën dhe zhvillimet e kohës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri të dielën, duke u dhënë mundësi të gjithë të interesuarve të njihen nga afër me këtë koleksion të veçantë fotografik, i cili përbën një pasuri të çmuar për historinë e Maliqit, Korçës, Pogradecit dhe gjithë rajonit.





