Intervistë ekskluzive e ekspertit grek të të drejtës ndërkombëtare Kostandinos Filis dhënë gazetares Gerta Banushi për “Vizion Plus” dhe “Kanalin 7”. 

Gerta Banushi/VIZION PLUS, KANALI 7: Greqia synon të zgjerojë ujërat territoriale nga 6 në 12 milje në detin Jon. A krijon ky vendim përplasje me Shqipërinë e cila aktualisht e ushtron të drejtën e saj në hapësirën detare prej 12 miljesh?

Kostandinos Filis, Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Athinë:

Zgjerimi i ujërave territorial bazuar në të drejtën e detit është vendim i njëanshëm për të cilën nuk kërkohet konsultim me asnjë vend. Greqia përpara se të ndërmarrë këtë veprim njoftoi palën shqiptare dhe ky është një shembull se si gjendet zgjidhja me Shqipërinë. Greqia, ndryshe nga shumë vende të tjera të rajonit dhe specifikisht ndryshe nga një vend specifik siç është Turqia, kërkon që vendimet e saj t’i ndërmarrë bazuar në të Drejtën e Detit. Në këtë kuptim, Shqipëria nuk ka pse të frikësohet aspak për negociatat me Greqinë. Kishim një marrëveshje për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike  në vitin 2009, e cila u anulua nga Gjykata Kushtetuese në Tiranë dhe për të cilën Greqia mendon se nuk ishte veprimi i duhur. Tashmë pas marrëveshjes Greqi-Itali (theksoj këtu që Shqipëria dhe Italia kanë përcaktuar zonat e dyte detare  në vitin 1992), në zonë mbetet vetëm një marrëveshje ajo e ujërave territorialë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ministri i Jashtëm grek do të vizitojë së shpejti Shqipërinë për të diskutuar rreth negociatave të cilat ishin ndërprerë vitet e fundit. Qëllimi i Greqisë është të finalizojë këto negociata dhe të gjejë një marrëveshje me përfitime reciproke me Shqipërinë.

Gerta Banushi/VIZION PLUS, KANALI 7: Përse vjen pikërisht në këtë moment vendimi për shtritjen e ujërave territorial në 12 milje? Ky ka qenë plan dhe i qeverisë së mëparshme të Aleksis Tsiprasit në vitin 2018. Bëhet fjalë për të njëjtën ide, për të njëjtin plan? Përse në këto momene kur Greqia është në përplasje të vazhdueshme në det me Turqinë?

Greqia nuk ka vendosur gjithë këto vite të zgjasë ujërat territoriale në 12 milje në detin Jon, pasi diplomatët dhe ekspertët kanë gjykuar se nëse bëhet zgjerimi në 12 milje vetëm në Jon, atëherë  Turqia do të paramendojë se Egjeu është një rast i veçantë, një det i rrethanave të veçanta dhe dukej sikur ne vërtetonim paramendimet e Turqisë. Më pas klasa politike vendosi të nisë zgjerimi i ujërave territorial në Jon dhe nëse në të ardhmen e gjykojmë të arsyeshme, të vijojmë normalisht edhe në zona të tjera të cilat gjenden qoftë në Mesdheu Lindor apo qoftë në veri të Kretës, etj.. Ndryshimi i vendimit të Micotaqis me vendimin e dy viteve më parë të Aleksis Tsiprasit ka të bëjë me faktin se tashmë kemi një Turqi e cila lëviz praktikisht me anije të paligjshme në sovranitetin e Greqisë dhe e dyta dhe më e rëndësishmja është se zgjerimi i ujërave territoriale në detin Jon vjen pas marrëveshjes me Italinë. Kështu që kemi bazën e një marrëveshjeje dhe pas kësaj do të finalizojmë marrëveshjen me Shqipërinë dhe kështu mbyllet pazëlli i marrëveshjeve detare në rajon.

Gerta Banushi/VIZION PLUS, KANALI 7: Cila është metodologjia e duhur që duhet të përdoret për caktimin e vijës së mesme në ishujt Othonoi dhe Barketa?

Tashmë kushtet janë më të pjekura për të arritur një marrëveshje të mirë për ujërat terrirorialë me përfitim reciprok. Çështjet teknike dhe metodologjia i mbeten ekipit negociator, por e rëndësishme është që Greqia është e disponueshme të mbyllë sa më parë këtë marrëveshje. Dua të besoj se qeveria shqiptare do të veprojë me bazë interesin kombëtar të Shqipërisë dhe jo e ndikuar nga vende të treta të cilat nuk dëshirojnë përmbylljen e marrëveshjes dhe përpiqen me mënyra të ndryshme ta pengojnë. Gjithashtu të mbyllen edhe çështjet e tjera të cilat nuk kanë marrë ende zgjidhje si shfuqizimi i ligjit të luftës, të drejtat e minoritetit, etj.. Greqia kërkon zgjidhjen e problemeve me Shqipërinë si një paketë. Jemi dy vende fqinje dy popuj shumë pranë njëri-tjetrit, ka probleme dhe këto probleme zgjidhen me frymën e dialogut dhe bazuar në të drejtat ndërkombëtare dhe të drejtën e detit.

Gerta Banushi/VIZION PLUS, KANALI 7: Përse Greqia nuk e ratifikoi në parlamentin e saj marrëveshjen Bakojani-Basha të vitit 2009?

Ishte një apati nga ana e Greqisë që nuk paraqiti për ratifikim marrëveshjen me Shqipërinë në parlamentin grek në vitin 2009 dhe ishte rastësi sipas mendimit tim anulimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Për mënyrën se si u anulua dukej sikur kishte gisht të një vendi të tretë, i cili kishte interes në anulimin e kësaj marrëveshjeje. Nuk kemi interes asnjë nga vendet tona qoftë Shqipëria, qoftë Greqia të mos arrijmë në një marrëveshje dhe duhet t’i kushtojmë rëndësi perspektivës së bashkëpunimit. Nuk duhet të biem në kurthin dhe t’u shërbejmë interesave të vendeve të treta dhe jo të interesave tona kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *