Edi Rama për De Volkskrant: “Negociatat ndihmojnë Shqipërinë”

Ndërsa Shqipëria po lobon fort për çeljen e negociatave të anëtarësimit, kryeministri Edi Rama ka sqaruar zërat kritikë se vendit tonë, edhe pse gjendet në një rrugë të vështirë sa i takon zbatimit të reformave, do ti shërbente procesi i gjatë e i rreptë i anëtarësimit për të marrë rezultate edhe me te mira.
Ky reagim i kryeministrit Rama vjen në përgjigje të deklaratave të eurodeputetes Kati Piri dhe drejtuesit te Partisë së Punës në Holandë, Lodewijk Asscher.
Sipas tyre, Shqipëria nuk është gati për tu anëtarësuar në BE.
“Vendet e Ballkanit nuk janë gati për BE-në’, shkruan Lodewijk Asscher në gazetën De Volkskrant më 15 Maj. Më pas ai numëron një listë të gjatë problemesh për të mbështetur argumentin e tij.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se përfundimi i z. Asscher jo vetëm është i parakohshëm por edhe nuk i qëndron thelbit.
“Anëtarësimi në BE nuk është aspak tema e ditës. Në vizionin tonë për të ardhmen e Shqipërisë themi: rruga është shumë më e rëndësishme se sa destinacioni. Ajo që ne duam në të vërtetë është çfarë do çdo shtet: paqe jetëgjatë, stabilitet dhe, mirëqënie për popullin tonë.”-shtoi Rama në reagimin e tij.
Kreu i qeverise ka pranuar pozicionin “e rreptë dhe të drejtë” të Holandës duke theksuar seriozitetin me të cilin Shqipëria po e trajton procesin e anëtarësimit. Ai I ka bërë thirrje shteteve anëtare të BE për mbështetje me gjykimin se refuzimi nuk është përmirësim për situatën e as nuk i bën gjërat më të drejta.




