Edhe policët do marrin shpërblim, Hoxha: Besoj se nesër qeveria do miratojë projekt vendimin

Nga Kakavija, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dha lajmin pozitiv se nesër pritet miratimi i shpërblimit të punonjësve të policisë.
Ervin Hoxha: Unë besoj se të hënën, Këshilli i Ministrave do të miratojë aktin dhe projekt-vendimin, të cilin ne e kemi propozuar për dhënien e shpërblimit të punonjësve të Policisë së Shtetit. Orët shtesë dhe suplementare janë të gjitha të parashikuara në Aktin Normativ, i cili është miratuar dhe të gjitha orët shtesë do të jepen sipas parashikimeve ligjore. Nuk ka asnjë keqkuptim e mosrakordim të strukturave dhe të projekt-vendimeve të dala nga qeveria në raport me dhënien e shpërblimit dhe orëve suplementare të Policisë së Shtetit.
Ai deklaroi se Greqia ka marrë masat e duhura për të përballuar hyrje-daljet e shumta të shqiptarëve që kthehen në atdhe. Bashkë me drejtuesin e policisë greke ata vizituan edhe Qendrën e Koordinimit, e cila është ngritur në zbatim të marrëveshjes ndërqeveritare me forca të përbashkëta midis policisë shqiptare e asaj greke.
Ervin Hoxha: Pata mundësinë të takoj edhe drejtuesit e Policisë Greke, me të cilët ndava disa shqetësime. Javën që kaloi kam pasur një bisedë me Ambasadoren greke mbi planin e masave për të përballuar fluksin e qytetarëve shqiptarë gjatë kalimit në pikat e kalimit kufitar Kakavijë dhe të tjera. Konstatoj që masat janë marrë për përballimin e këtij fluksi.
Nga Kakvija, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha uroi shqiptarët për festat e fundvitit për një vit sa më të begatë./vizionplus.tv




