Edhe Meta kërkon “Zgjedhoren”: Palët ta miratojnë brenda 31 majit, siç janë zotuar

Pasi shprehu gatishmërinë e tij për të firmosur reformën zgjedhore të dakordësuar mes palëve, presidenti Ilir Meta bëri një tjetër reagim në rrjetet sociale për të njëjtën çështje.
Ai deklaroi se palët politike duhet të gjejnë konsensusin dhe të miratojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor deri të dielën, njësoj siç kanë premtuar.
Kreu i shtetit tha se në reformën zgjedhore duhet të pasqyrohen edhe rekomandimet e OSBE-ODHIR ose në rast të kundërt, ne do të turpëroheshim.
“Inkurajoj fuqimisht të gjitha palët të ecin drejt miratimit me konsensus të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, siç janë zotuar, brenda datës 31 maj 2020. Shqipëria ka kryesimin e radhës së OSBE, ndaj dhe miratimi i njëanshëm i këtyre ndryshimeve, si dhe mospërmbushja e rekomandimeve të OSBE-ODIHR do të ishte një turp i madh për vendin tonë dhe një skandal i paprecedent në historinë e OSBE-së. Shpresoj që kjo s’do ndodhë!”
Në një komunikim me gazetarët, Meta u shpreh se do të firmosë pa asnjë hezitim marrëveshjen për reformën zgjedhore.
“Unë besoj shumë, jam shumë i entuziazmuar, cicërimat që ka progress për Këshillin Politik. Do e firmos atë konsensus menjëherë.”




