Drejtori i KESH, Ergys Verdho, i ftuar në emisionin “E-ZONË” në “Vizion Plus” ka dhënë disa detaje se si do të funksionojnë dy TEC-et e lëvizshme në triportin e Vlorës. Sipas tij, kontrata e nënshkruar me konsorciumin italo-amerikan është një siguri më shumë për qëndrueshmërinë e sistemit, aq më tepër këto kohë kur kemi një krizë çmimesh energjie në treg.

 

“Kontrata 2-vjeçare do të ketë një kosto prej 40 mln dollar, këto para do të gjenerohen nga shitja e energjisë elektrike që ne do të bëjmë kur të kemi teprica. Kemi qenë ne ata që kemi kërkuar shtimin e prodhimit të energjisë në vend dhe kemi shpallur njoftimin për hapjen e një gare ndërkombëtare. Ajo që dua të garantoj është se nga kjo kontratë nuk do të preket buxheti i shtetit, por do të garantohet nga të ardhurat e vet KESH.”

 

Sa i përket lëndës djegëse, ajo do të jete mazut, ndërsa sigurimi i saj, sërisht sipas Verdhos, do të bëhet nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar.

 

“Është vendosur që lënda djegëse do të jetë mazut. Do të hapim thirrje sa herë do të kemi nevojë dhe përzgjedhja e kompanisë që do të furnizojë do të shpallet në varësi të ofertës, nuk përjashtohet në këtë garë edhe kompania Albeptrol”, tha Verdho.  

 

Lidhur me kostot me të cilat do të prodhohet energjia, Verdho tha se në bazë të kalkulimeve një MWh energji do të kushtojë 160 euro, ndërsa mesatarja e bursës aktualisht arrin në 230 euro për MWh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *